Hapja e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në dorë të shefave të vendeve anëtare të BE-së

Të enjten dhe të premten në Buksel liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian , do të vendosin për negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë , pasi këshilli i Ministrave i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk arriti në një marrëveshje të përbashkët.Fati i kësaj çështjeje tani mbetet në dorë të kryeministrave dhe presidentëve të vendeve anëtare të cilët më 17 dhe 18 tetor duhet të sjellin një vendim final.

Marketing

Ministrja finlandeze për çështje evropiane, shteti i së cilës për momentin kryeson me presidencën e BE-së, tha se i vjen keq që Këshilli i Ministrave nuk arriti në një marrëveshe unanime, për shkak të qëndrimeve të ndryshme që kanë vende. “Ne i shqyruam të gjitha mundësitë që të paktën të dërgojmë sinjal tek Ballkani Perëndimor, përfshirë këtu edhe ndarjen e pakos, sepse disa vende anëtare i referohen parimit që shteteve t’u njihen meritat individuale por as kjo nuk ishte e suksesshme andaj e vetmja gjë që mund të vinim në përfundim është që Këshilli Evropian do t’i rikthehet kësaj çështjeje. Është arsye e mirë për të qënë entuziast, dhe unë jam optimiste që Këshilli Evropian këtë javë do të sjellë një vendim pozitiv për zgjerimin për të dy shtetet”, tha Tyti Tupurainen, ministre e Finlandës për çështje evropiane. Komisionari për zgjerim Johanes Han nuk e fshehu zhgënjimin e tij që Këshilli i Ministrave nuk arriti në një marrëvehsje unanime, ndërsa shtoi se si Maqedonia e Veriut po ashtu edhe Shqipëria i kanë përmbushur kërkesat e BE-së.
“Shpresoj që liderët tanë do të jenë në gjendje të shikojnë një panoramë më të gjerë dhe të gjejnë një zgjidhje që të jetë në lartësinë e pritshmërive. Çdo shtyrje do të dëmtonte besueshmërinë tonë në Ballkanin Perëndimor dhe ambicien tonë për të qenë më të fortë globalisht. Gjithashtu nuk duhet të habitemi nëse fuqi të tjera luajnë rol më të rëndësishëm në rajon sepse janë më të përkushtuar se ne si tërësi. E kuptoj dhe jam njëjtë i zhgënjyer si qztetarët në Maqedoninë e Veriut prandaj mendoj se duhet ta ndjejmë temperaturën dhe ta shohim përgjegjësinë tonë, veçanërisht ata vende të cilat sot nuk arritën të japin mbështetje”, deklaroi Komisioneri për zgjerim Johanes Han. Franca del të jetë shteti që është kundër fillimit të negociatave si me Shqipërinë po ashtu edhe me Maqedoninë, ndërkaq Holanda është kundër nisjes së bisedimeve me Shqipërinë. Italia nga ana tjetër nuk pajtohet me idenë që të ndahet pakoja ku bëjnë pjesë këto dy shtete.

Marketing