Hapja e paraleles së dytë shqipe në gjimnazin e Velesit “Koço Racin” mbeti vetëm premtim në letër pavarësisht që ishte paraparë në konkursin e këtij viti shkollor. Gjatë vizitës së Alsat në Veles nxënësit thanë se mësimin po e realizojnë në një paralele të vetme ku është tejkaluar numri 30 i nxënësve.
“Me një klasë jemi, 31 nxënës jemi”, tha një nxënës.
Përveç mungesës së paraleles, nxënësit shqiptarë në gjimnazin e Velesit po përballen edhe me mungesë të stafit shqiptar. Siç thanë ata, thuajse të gjitha lëndët po i realizojnë në gjuhën maqedonase pavarësisht që janë paralele shqipe.
“Hiç nuk kemi mbajt matematikë, kimi një ose dy orë, tjerat maqedonisht i kemi”, u shpreh një nxënës.
“Më përpara vetëm një patëm, tani erdhi profesori I kimisë dhe historisë, të tjerat ishin maqedonisht. Thonë që do të vij edhe profesori I matematikës por nuk ka asnjë fjalë. Kjo nënkupton se matematikë nuk keni mbajt? Jo, s’kemi mbajt fare tashmë dy muaj edhe nuk e di si do t’ia bëjmë me mësimet, si do e zhvillojmë mësimin”, deklaroi një nxënëse.
“Nuk është se ne nuk mundohemi me mësuar por e kemi shumë problem me u shpreh në gjuhën maqedonase. Ka ndodhë shumë herë kur unë kam mësur por s’kam ditë si me u shpreh edhe çdo herë më kanë dhënë notë jo të mirë se nuk kam ditë me fol mire”, citoi një nxënëse.
Disa prej nxënësve madje shpesh mendojnë të transferohen në shkolla të qyteteve tjera ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.
“Kam dashur të transferohem në Shkup por nuk na lënë të familjes, thonë këtu është më afër, mbarojeni këtu. Është vështirë, jemi mësu nëntë vjet shqip tash na vjen rëndë. Më shumë se norën 3 nuk mund ta marrë”, u shpreh një nxënëse.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se hapja e paraleles së dytë shqipe dhe sigurimi i kuadrit mësimor shqiptar nuk janë çështje e mbyllur.
“Nuk është çështje e mbyllur dhe përfunditare për arsye se në bazë të numrit të nxënësve, konkursi është I hapur dhe mund të ndahet paralelja kur të sigurohen edhe kapacitetet e kuadrit. Sepse, nuk dua që nxënësit nëse ndahen të kenë mësimdhënës jo cilësor brenda procesit. Në secilën lëndë që do të siguroj kuadër që nga Shkupi, që nga Tetova, ai kuadër do të jetë I pranuar nga komuna dhe nga shkolla”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Në gjimnazin “Koço Racin” nga viti i parë deri në atë katërt mësojnë mbi 80 nxënës shqiptarë të cilët pjesën më të madhe të lëndëve i ndjekin në gjuhen maqedonase pavarësisht që janë paralele shqipe. /Alsat.mk