Hapja e urës së Ibrit, Osmani kundër Kurtit: E pafalshme që ndaj mikut të përdorim taktika si ndaj Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë kundër hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë, ndërsa ka theksuar se duhet koordinim me aleatët për këtë çështje. Sipas Osmanit, Kosova nuk duhet të përdorë “taktika” të njëjta sikur kundër Serbisë.

Marketing

“A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes ushtarit amerikan dhe policisë, nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet në këtë tokë me një gjë të tillë. Pra, të sigurohemi që gjëra të tilla të mos të ndodhin. Aleatët na kanë shpëtuar dhe urat kur të hapen ato të mbesin të hapura”, tha Osmani para gazetarëve pas takimit me kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti.

“Nëse ndaj mikut përdorim taktika të njëjta sikur kundër Serbisë është e pafalshme, pasi miqtë nuk ka kthyen shpinën në momentet më të rënda. Mos të harrojmë, 99-ta nuk është larg, secilit na kujtohet ku kemi qenë dhe ku jemi sot”, shtoi e para e shtetit.

Osmani theksoi se çështja e Urës së Ibrit duhet të jetë suksese i përhershëm, jo “i momentit”, ndërsa shtoi se ura nuk duhej të ishte mbyllur kurrë dhe patjetër që duhet të hapet.

“Ne duhet të sigurohemi që kur hapet duhet të mbetet e hapur, e jo që kur hapet e nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s mbi të”, theksoi Osmani.

Ndërkaq Qeveria e Kosovës ende nuk e di datën e hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullim për makina, ndërsa kryeministri Albin Kurti, nuk përmendi ndonjë datë në mbledhjen e Qeverisë, por vuri në dukje se se “konsultimet me partnerët tanë do vazhdojnë”.

“Do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, tha Kurti në mbledhjen Qeverisë gjatë të mërkurën.

Ndërkohë, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se janë në pritje të raportit final për stabilitetin e kësaj ure.

Qeveria e Kosovës ka këmbëngukur se ura mbi Ibër, që aktualisht ndan qytetetin e Mitrovicës në vija etnike, duhet të hapet plotësisht. Aktualisht, ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.

Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë deklaruar se për momentin nuk është koha e duhur për hapjen e urës.