Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sërish theksoi se taksa 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina do të qëndrojë deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Haradinaj gjithashtu komentoi deklaratat lidhur me atë se si po ndikon kjo taksë në raportet e Kosovës me SHBA-të.
“Është mirë me qenë të sinqertë me Amerikën dhe Evropën. Kur e kemi pasë për vete e ju tutshim Speciales jemi mundu me e rrëzu. S’na nijke që amerikanët thoshin po na ngulni thikë pas shpine. Kur e kemi tani me nxjerrë njohjen, po thonë jo se e prishim partneritetin me SHBA-të”, theksoi Haradinaj.
Haradinaj gjithashtu tha se në këmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia është kërkuar diçka, dhe se ai është i gatshëm ta heqë taksen për njohje.
“Nuk ua jap tregun më Serbisë pa e marrë njohjen. Kjo nuk është kundër Amerikës, veç duhet t’ua shpjegojmë. Duam njohjen. Nuk japim tokë as nuk tolerojmë ‘Republika Srpska’ brenda Kosovës, por ua kthejmë tregun për njohje”.
Këto komente Kryeministri i bëri në akademinë përkujtimore në 22-vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu.
Ai vlerësoi lart veprimtarinë e tyre, dhe theksoi sakrificën që kishin bërë duke lënë armët e tyre për të tjerët.
“Ishin luftëtarë me përvojë, njerëz të vendosur me rrugëtu deri në ditën e lirisë së vendit të tyre”.