Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që ta ndalojë grevën në arsim ose të japë dorëheqje, derisa i kërkoi ta shkarkojë ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Nuk ka një rast tjetër në kohë paqeje që shkollat mbeten të mbyllura një muaj. Kryeministri ose duhet të gjejë zgjidhje, menjëherë, ose duhet ta pranojë se është i paaftë dhe të lëshojë rrugë! Debati që ai e ka hapur me sindikatat, është tallje me një popull dhe shprehje e paaftësisë së tij. Sindikatat mund të jenë aty për t’ia nxirë jetën atij e çdo kryeministri tjetër dhe mund të jenë kundër tij e me dreqin e me të birin, por ai që duhet të gjejë zgjidhje është kryeministri e askush tjetër”, ka shkruar Haradinaj.
Deputeti i AAK-së pyeti Kurtin se kush po i jep të drejtë “t’i lë në rrugë 300 e sa mijë fëmijë”, derisa tha se e ka bllokuar shtetin me kryeneçësi.
“Shkarkoje që sonte ministren e arsimit dhe merr vendim për hapjen e shkollave. Mos shko më larg sepse edhe ashtu ke kapërcyer çdo kufi”, ka shkruar Haradinaj.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka njoftuar se greva do të vazhdojë./