Haradinaj: Rënia e policit Izet Demaj gjatë detyrës do të jetë një pikë kthese për policët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, pas vrasjes së policit Izet Demaj. Haradinaj ka thënë se është shumë i prekur për atë çka ka ndodhur dje, derisa ka thënë se institucionet do të ndërmarrin gjithë veprimet për t’i përkrahur policët. Ai deklaroi se nesër do të shpallet ditë zie për Demajn, shkruan Express.

Marketing

Haradinaj para gazetarëve ka thënë se rasti i rënies së policit Izet Demaj gjatë detyrës, do të jetë një pikë kthese për policët. Ai deklaroi se institucionet do të ndërmarrin gjithë veprimet për t’i përkrahur policët.

I pari i Qeverisë shtoi se në janar do të procedohen ligje tjera për Policinë.

“Ligjet kanë avancuar, do t’i procedojmë ligjet në janar. Policisë i kemi dhënë përkrahjen e nevojshme. Kjo përkrahje do të rritet. Do të jenë në nivel të detyrës. Qytetarët të mos vozisin nëse janë të dehur. Festën mos ta kthejmë në dhimbje. As policët nuk duhet të lëshojnë pe. Do t’i qëndrojmë pranë familjes”, tha Haradinaj.

Haradinaj njoftoi se nesër do të shpallet ditë zie për vdekjen e Demajt, derisa tha se do t’i qëndrojnë afër familjes së tij dhe do t’u ofrojnë përkrahje.

Ai falënderoi drejtorin e Policisë së Kosovës, Reshat Qalajn, për mënyrën se si e ka menaxhuar këtë rast.

“Kam ardhë me ju shpreh ngushëllime. E falënderoj drejtorin për mënyrën se si e ka menaxhuar gjendjen dhe me i dhanë përkrahej Policisë. Nuk kemi zgjidhje tjetër, përveç që mos me leju që kriminelet me ba ligjin në Kosovë. Policia ka përkrahjen tonë që kriminelët të mos e marrin ligjin në dorë. Dje kanë mujt me u vra edhe qytetarë të pafajshëm, andaj kemi shpëtuar lehtë. Është e dhimbshme, por mundësitë kanë qenë që me vdekë ma shumë njerëz. Do të marrim të gjitha veprimet për me përkrahë Policinë. Jemi kritikuar pse po rrisim paga për policë, prokurorë e gjyqtarë. Nesër do të shpallet ditë zie. Do të jetë një ditë kthese, rënia e policit në detyrë”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, në nderim të tij, sot kabineti i kryeministrit të Kosovës ka nisur takimin e mëngjesit me një minutë heshtje në nderim të policit, Izet Demaj.

Demaj u vra dje pasdite nga një person i armatosur derisa po tentonte të kryente një grabitje të armatosur në bankë në Istog. Lidhur me këtë rast, mbrëmë janë arrestuar dy persona.