Kryeministri Ramush Haradinaj ka treguar sonte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane, janë shumë këmbëngulëse për heqjen e taksës dhe vazhdimin e dialogut.
Ai tha këtë duke komentuar ardhjen e delegacioneve të SHBA-së, Gjermanisë dhe Anglisë në Kosovë, ku është kërkuar nga Kosova heqja e taksës.
Haradinaj ka thënë se taksa është kthyer në problem për ta, pasi presidenti i Serbisë ka thënë se me taksën në fuqi nuk pranon të ulet në bisedime.
“SHBA është shumë këmbëngulëse për heqjen e taksës, kurse edhe evropianët tani janë më këmbëngulës për heqjen e taksës”, tha ai.
Ai po ashtu ka dhënë një premtim, duke pohuar se “po u them sonte publikisht SHBA-së dhe aleatëve tjerë, detyrone Serbinë t’i anulon kontratat për blerje të armeve për aq sa shet mallra në Kosovë, edhe ne do ta anulojmë taksën”.
Kurse për deklaratën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli se “e len në lloç këdo që i dëmton raportet me SHBA-të”, Haradinaj ka qenë më i matur, duke pohuar se nuk është qëllimi i tij me i prish raportet me SHBA-në. “Edhe unë pajtohem me deklaratën e Veselit. Nëse vjen puna me i prish marrëdhëniet me SHBA-në, unë vet shkoj në shtëpi, sepse unë popullin tim dhe vendin tim nuk e dëmtoj”, tha ai.