Haradinaj: SHBA-të dhe BE-ja të ndalin presionin ndaj Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tërhoqi vërejtjen në siç tha, problemet në drejtpeshimin e trysnisë së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.

Marketing

Haradinaj i cili një ditë më parë u kthye nga Haga ku ishte thirrur nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte në Kosovë, kishte treguar se ai është detyruar të japë dy herë dorëheqje për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare, shqetësime të tilla nuk kanë udhëheqësit aktual serb, që ishin pjesë e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, përcjellë KOHA.

Në një intervistë për VOA, kreu në dorëheqje i Qeverisë ka treguar që është ndjerë i befasuar nga thirrja që ka marrë për në Hagë, ndërkohë ka bërë thirrje që SHBA-të dhe BE-ja të ndalin presionin ndaj Kosovës.

“Do të thotë unë e kam kryer obligimin ligjor si rezultat i një ftese për t’u paraqitur si i dyshuar në bisedë hetuese. Kam dhënë dorëheqje prej kryetarit të qeverisë dhe vetvetiu kjo ka ndikime politike ftesa, duke pasur parasysh faktin se unë kam qenë dy herë në procese gjyqësore dhe ja kam dhënë mundësinë drejtësisë ndërkombëtare që ta shqyrtoj atë periudhë, periudhën e luftës në tërësi. Jam mjaft i habitur me këtë ftesë. Ka plot dyshime në Kosovë se mund të jetë një konspiracion, por ajo që mund të konfirmoj është që besoj në ato qëndrime politike që i kam shprehur në mënyrën më të sinqertë ndaj partnerëve ndërkombëtarë e që është pra; kufijtë e Kosovës nuk janë të diskutueshëm dhe nuk bën të diskutohet për territorin dhe kufijtë, marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet për njohje reciproke në kufijtë ekzistues sepse për Kosovën është e papërballueshme një krijesë si Dodiq, na e bjen Rusinë në Kosovë dhe njëkohësisht tregtia e lirë pra duhet të jetë e arritur me njohje edhe tarifa hiqet me njohje. Këto qëndrime janë reale dhe vazhdoj t’i paraqes si këtilla dhe kërkoj prej bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që ta ndalin presionin e padrejtë mbi Kosovën sikur për tarifat po ashtu edhe tema tjera për shkak se nuk është në rregull të pranohen kushtet e Serbisë për dialog për shkak se ofendohet pala, në këtë rast që jemi ne viktimë”, thotë Haradinaj.

Haradinaj në intervistë përmend se ai si kryeministër i Kosovës, i thirrur për të dytën herë për të dëshmuar para një gjykate ndërkombëtare, ka dhënë dorëheqjen, ndërkohë, siç thekson, “në anën tjetër është zoti (Aleksandër) Vuçiç që ishte ministër i zotit (Slobodan) Millosheviç dhe dihet që regjimi i Millosheviçit çfarë krime ka kryer në Ballkan jo veç në Kosovë por edhe në vende të tjera edhe ai nuk ka shqetësime të asnjë natyre”. Sipas Haradinajt kjo dëshmon një disbalanc të logjikave të presionit të bashkësisë ndërkombëtare e që duhet të korrigjohen sa më shpejt.

I pyetur se për kë e ka fjalën, kur përmend aleatët që po i bëjnë presion, Haradinaj ka treguar se e ka fjalën për SHBA-në dhe Evropën.

“Mendoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”, ka shtuar Haradinaj në intervistën për Zërin e Amerikës .

I pyetur nëse pret që të ketë zgjedhje të reja Haradinaj tha se pret që kjo të ndodhë në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit.