Me disa orë vonesë, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, është nisur për në Hagë. Kjo pas vonesave të kompanisë së fluturimit, me të cilën ishte planifikuar udhëtimi i Haradinajt.
Megjithatë, Haradinaj për në Hagë nuk ka udhëtuar me kompaninë e aranzhuar, raporton KTV.
Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, për “Kohavisionin” ka konfirmuar se kreu i Qeverisë në dorëheqje, ka udhëtuar me aeroplanin privat të Pacollit.
Para nisjes për në Holandë, Haradinaj ka folur për “Reuters”-in duke konfirmuar se nëse nuk ka aktakuzë ndaj tij, do të rikandidojë me AAK-në në zgjedhje.
Haradinaj, në Facebook ka shkruar se në Hagë shkon si qytetar i Kosovës, derisa aty ka folur edhe për gatishmërinë e vendit që t’i vazhdojë bisedimet me Serbinë, por që marrëveshja finale ndërmjet shteteve të jetë njohja e Kosovës në kufijtë ekzistues.
Haki Shatri, dorëheqjen e eprorit të tij e ka quajtur veprim të një burrështetasi, derisa ka shtuar se beson se ai do ta tejkalojë edhe këtë proces gjyqësor.
Kreu i AAK-së, të premten e kaluar, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Në letrën e dorëheqjes, Haradinaj megjithatë ka konfirmuar se do ta vazhdojë punën si kryeministër në dorëheqje deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij.