Harmonizim i programit qeveritar dhe shpërndarja e kuadrit në negociatat ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së

Pas përcaktimit të parimeve të koalicionit dhe përcaktimeve të qeverisë së ardhshme të mundshme të përbashkët, LSDM dhe BDI dje kanë punuar në harmonizimin e programeve fituese zgjedhore dhe shpërndarjen e përgjegjësive sipas resorëve të të dy partive dhe krijimin e një programi katërvjeçar për punë të qeverisë së ardhshme.

Marketing

Nga LSDM kumtuan se në bisedimet ata janë plotësisht të përkushtuar për ekonominë, drejtësinë, barazinë dhe integrimin. Ata informuan se sa i përket shpërndarjes së përgjegjësive sipas resorëve, është arritur përparim i mirë dhe është arritur marrëveshje në parim.

“Të dyja palët janë zotuar të propozojnë drejtues të përshtatshëm të institucioneve, të përgatitur, të ndershëm dhe të aftë që do të zbatojnë programin në mënyrë të suksesshme gjatë një mandati të plotë katërvjeçar. Organet e partisë, sekretarët e partisë dhe zëdhënësit do të informojnë menjëherë publikun për çdo moment të ri në negociata dhe lusin publikun dhe mediat që të mos i marrin parasysh spekulimet”, theksojnë nga partia në pushtet.

BDI përmes kumtesës i bëri thirrje opozitës shqiptare të mos i dëmtojë negociatat me LSDM-në dhe, siç theksojnë ata, ta pranojnë humbjen e 15 korrikut. Sipas tyre, opozita duke mos marrë pjesë në thirrjen e Ali Ahmetit në “tryezën e rrumbullakët” të partive shqiptare, ata u përpoqën ta defokusojnë humbjen dhe dështimin, dhe me këtë ta shmangin përgjegjësinë para votuesve të tyre.

“Ata e shohin shpëtimin e tyre në skenën politike nëpërmjet përpjekjeve për dështim të shqiptarëve duke qëndruar në sportelet e pritjeve të LSDM-së dhe VMRO-së dhe duke i rrënuar pozitat negociuese të fituesit dhe përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve. Dështimin tuaj mos e shndërroni në dështim të shqiptarëve sepse shqiptarët nuk do t’ua falin dhe harrojnë këtë sjellje jodinjitoze”, theksojnë nga BDI-ja.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se sjellja teatrale e opozitës shqiptare nuk është në interes të shqiptareve dhe se pasi fillimisht shpallën fitore e kontestuan procesin, më pas organizuan protesta dhe pastaj vazhduan me takime të përbashkëta dhe të mëvetësishme me LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në, duke thënë që do të jeni në Qeveri dhe duke kërkuar “blerjen” e turpshme të deputetëve.

“Lironi skenën e uzurpuar opozitare shqiptare dhe dështimin tuaj partiak mos e shndërroni në dështim kombëtar, por hapni rrugë për njerëz të ri që do t’i prijnë një unifikimi të shëndoshë opozitar në të mirën e të gjithëve”, theksohet në kumtesën e BDI-së drejtuar opozitës shqiptare në vend.

Të dy partitë i filluan negociatat menjëherë pas seancës konstituive të Parlamentit më 4 gusht, u mbajtën disa takime midis Zaevit dhe Ahmetit. Të dy partitë patën konsultime edhe të enjten javën e kaluar, pasi më parë në të njëjtën ditë, kreu i shtetit Stevo Pendarovski ia dha mandatin për formim të qeverisë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Takimi treorësh i Zaevit me Ahmetin në atë kohë, në një deklaratë të përbashkët, u vlerësua si konstruktiv dhe produktiv dhe në të cilin u arritën bazat për “përparim drejt një marrëveshje koalicioni për një qeveri të re evropiane të angazhuar për integrimin evropian, ekonominë, barazinë dhe sundimin e ligjit”.

Nga ana e saj, BDI kumtoi se bisedimet për formimin e një koalicioni qeveritar me LSDM-në po zhvillohen në nivele të ndryshme partiake, duke shprehur besim se do të arrihet një marrëveshje përfundimtare dhe një qeveri me një mandat të plotë katërvjeçar, e cila do të votohet në Kuvend, do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe do ta vazhdojë partneritetin me aleatët Euroatlantikë.

Mgid