Harmonizimi i rrogave, në grevë edhe gjykata dhe administrata!

Të punësuarit në administratë dhe gjyqësor të enjten dhe të premten do ta ndërpresin punën për dy orë, nga ora 10 deri në 12:00, duke kërkuar pagesën e pagës minimale dhe rritje lineare të pagave të të gjithë të punësuarve për 2.806 denarë.

Marketing

Protesta do të ketë në të gjitha ato institucione ku Sindikata e AOGJSHQ ka organizata sindikale si ministri, agjenci, fonde, administrata dhe gjykata.

“Do të ketë ndërprerje pune. Janë njoftuar edhe Qeveria dhe ministritë, të gjithë punëdhënësit. Kërkoj nga qytetarët që të jenë të durueshëm, nuk është shumë, janë dy orë, por ato dy orë mund të rriten dhe të jenë prej tetë orë ndërprerje”, tha kryetari i Sindikatës së AOGJSHQ-it, Tërpe Deanoski në konferencën e sotme për media.

Në 95 për qind të institucioneve, siç theksoi ai, paga paguhet nën minimumin, ndërsa në pesë për qind të mbetura, disa nuk e përgatisin pagën dhe ata që e kanë paguar, kanë bërë gabime dhe kanë paguar vetëm pagën minimale pa stazh.

Deri më tani nuk kanë marrë ftesë për negociata nga Qeveria, ndërsa presioni nga anëtarësia, siç theksuan, është i madh dhe kërkohet që ndërprerja e punës të vazhdojë.

“Shpresojmë që Qeveria dhe autoritetet kompentente të kenë sadopak sens dhe të bëjnë përpjekje gjatë kësaj periudhe të bisedojnë dhe të gjejnë mënyra për zgjidhjen e kërkesave tona, por duket se Qeveria nuk është e interesuar për negociata me ne, edhe pse ka premtuar. Ajo që paralajmëruam herën e kaluar u realizua dhe pothuajse në të gjitha institucionet në administratë dhe drejtësi punonjësve nuk u paguhet paga minimale. Deri më tani, mbi 95 për qind e institucioneve vazhdojnë të paguajnë paga nën pagën minimale. Pesë për qind të tjerët, disa nuk dinë çfarë të bëjnë dhe nuk e përgatisin pagën, dhe ata që tentuan të paguajnë pagën minimale bënë gabime katastrofike në pagimin e saj. Përsëri të punësuarit nga administrata dhe gjyqësori mbeten të vetmit në vend me pagë nën pagën minimale”, tha Deanoski.

Si shembull se institucionet nuk e respektojnë Ligjin për pagën minimale, nga AOGJSHQ tregojnë shembullin e publikuar në njoftimin e Ministrisë së Financave për një nëpunës për të cilin është paraparë paga prej 14.909 denarë, e cila është jo vetëm më e ulët se ajo aktuale, paga minimale prej 18.000 denarë, por edhe nga shuma e mëparshme minimale prej 15.142 denarë.