I gjithë globi po kalon një “black out” pas rënies së sistemeve të IT.
Të dhënat nga burime të ndryshme tregojnë se rrjetet dhe shërbimet janë prekur në të gjithë globin pasi një përditësim i softuerit të ofruar nga kompania CrowdStrike thuhet se shkaktoi probleme të përhapura me kompjuterët që funksionojnë me Windows.
Sipas një harte të drejtpërdrejtë të ofruar nga kompania e monitorimit të internetit Thousand Eyes, aplikacionet dhe rrjetet kanë raportuar ndërprerje në të gjitha kontinentet, sipas Sky News.
Harta tregon një numër veçanërisht të lartë të ndërprerjeve të raportuara në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Australi.
Sipas Google Trends, kërkimet për termin ‘ekran blu’ janë rritur në nivel global. Kjo i referohet ekranit blu dhe tekstit të shfaqur në kompjuterët e prekur.
Kërkimet për ‘Windows’ janë rritur gjithashtu në mbarë botën, duke iu referuar sistemeve operative të prekura nga problemet.
Ndërsa të dhënat për sot janë ende të paplota, duket sikur interesi për termin “Microsoft down” mund të jetë në një kulm historik.