Hartman: Deri në pranverën e vitit 2020 do t’ju presim si anëtare të plotfuqishme të NATO-s

Ratifikimi i protokollit aderues ndryshoi në disa raundet e pranimit të anëtareve të reja që i kemi pas nesh, por shpresoj se deri në pranverën e vitit 2020 do të jemi në gjendje t’ju presim si anëtare të plotfuqishme të aleancës sonë, shprehet në intervistën e dhënë për “360 gradë” Tanja Hartman, përfaqësuese e NATO – Sektorit për çështje politike dhe politikë të sigurisë, përgjegjëse për udhëheqjen e dosjes për Maqedoninë

Marketing

Kur do të nënshkruhet protokolli aderues me Republikën e ardhshme të Maqedonisë së Veriut?

– Ne gjatë ditëve të ardhshme do të identifikojmë datën e nënshkrimit të protokollit aderues. Së pari, ka disa procedura administrative që duhet doemos t’i përfundojmë dhe pasi të mbarojë kjo, do të mund të përcaktojmë datën për mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut në të cilin do të ndodhë nënshkrimi i protokollit aderues.

Disa vende-anëtare kanë procedura të komplikuara të brendshme, kur bëhet fjalë për dhënien e pëlqimit të përfaqësuesve të tyre të përhershëm në NATO që të nënshkruajnë protokoll aderues. A mund të ndikojë kjo në gjithë procedurën?

– Secili prej 29 aleatëve ka procedurën e tij vendore për marrjen e lejes për nënshkrimin e protokollit aderues. Por, këtë nuk do ta kisha quajtur procedurë të komplikuar ose komplekse. Ajo është, thjeshtë, pjesë e zakonshme e procesit demokratik. Unë pres që brenda disa muajve do të jemi të gatshëm për nënshkrimin e protokollit aderues, por nuk shikoj ndonjë prolongim ekstrem lidhur me këtë.

A do të ulet Republika e Maqedonisë së Veriut në tavolinën e NATO-s tashmë në takimin e radhës të ministrave të mbrojtjes?

– Pasi ta nënshkruajë protokollin aderues, Maqedonia e ardhshme e Veriut do të na bashkëngjitet në tavolinë, bashkë me vendet tjera anëtare, në të gjitha takimet e radhës e NATO-s. Nëse protokolli aderues nënshkruhet para takimit të ministrave të mbrojtjes, nëse kjo do të ndodhë, atëherë absolutisht ministri i Mbrojtjes do të jetë i pranishëm në takimin e ministrave të mbrojtjes nga mesi i shkurtit. Do të dëshiroja të shfrytëzoj rastin për të përsëritur atë që të premten tashmë e deklaroi sekretari i përgjithshëm kur e përshëndeti ratifikimin e Marrëveshjes e Prespës në Athinë, kur tha se gëzohet që e priti Maqedoninë e ardhshme të Veriut në familjen tonë.

Në cilën kornizë kohore pritni të përfundojë i gjithë procesi i ratifikimit të protokollit aderues?

– Ratifikimi i protokollit aderues ndryshoi në disa raundet e pranimit të anëtareve të reja që i kemi pas nesh. Mund ta përmendi shembullin e Malit të Zi, kur ky proces zgjati 12 muaj dhe pres që në përgjithësi, kjo të jetë koha e njëjtë e nevojshme që mund ta presim edhe në këtë rast. Shpresoj se deri në pranverën e vitit 2020 do të jemi në gjendje t’ju presim si anëtare të plotfuqishme të aleancës sonë.

Cilët janë hapat e radhës në reformat që do të kërkohen? Për shembull, a pritni të përfundojë procedura e kontrollit në shërbimet e inteligjencës?

– Procesi reformues është me të vërtetë pjesë shumë e rëndësishme i tërë procesit aderues. Ky proces reformues ndodhë jo vetëm gjatë aderimit, por edhe më pas. Ky është një proces rrjedhës afatgjatë i integrimeve dhe reformave, për t’u bërë anëtare e plotfuqishme dhe aleat tërësisht i aftë. Ka disa kapituj në të cilët aleatët bënë të ditur se do të donin të shikojnë përparim në reformat. Sektori i inteligjencës dhe sigurisë janë një prej tyre. Por, ato nuk janë të vetmit. Aleatët, gjithashtu, duan të shohin përparim edhe në sundimin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe aftësitë mbrojtëse. Forcat e armatosura të vendit tuaj tashmë janë në mënyrë të besueshme të afta, kemi luftuar pranë tyre dhe keni shërbyer me to në Afganistan. Pres që të punojmë me to që edhe më shumë t’i forcojmë aftësitë e tyre mbrojtëse.