HARXHIMET E JETESËS. Rritja ekonomike rrit pensionet

Me pakon e re të reformave pensionale nuk pritet të ketë ngrirje të pensioneve dhe as rritje të moshës për pensionim, por do të sigurohet pagesë e rregullt dhe stabile e pensioneve. Reformat kanë rritur për 0.5 për qind kontributin për pension, që pritet të zvogëlojë minusin në Fondin Pensional nga 310 milionë euro në 275 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Njëherësh, 28 mijë të punësuar të lindur pas një janarit të vitit 1967 mund të kthehen dhe të fitojnë pension nga shtylla e parë pensionale, që ofron mundësi për të fituar më vonë pensione më të volitshme. Gjithashtu, pensionet do të harmonizohen dy herë në vit me harxhimet e jetesës, ndërsa gjatë rritjes së tyre nuk do të merret parasysh lartësia e pagës mesatare siç praktikohej më parë.

Marketing

Nga janari i vitit 2017 harmonizimi ishte 0.82 për qind, ndërsa në qershor ishte 0.76 për qind. Në janar të vitit 2018 – përqindja e harmonizimit ishte 1.69 për qind, ndërsa në korrik të vitit të kaluar pensionet u harmonizuan me 1.8 për qind. Në vitet e mëparshme nuk kishte harmonizim, por rritje të pensioneve për shumë fiktive. Në vitin 2015 rritja ishte 621 denarë dhe në vitin 2016, rritja ishte 654 denarë. Paraprakisht, në muajin shkurt të viti 2013, u rrit pensioni në mënyrë lineare për 550 denarë pasi qeveria pranoi propozimin e shoqatave të pensionistëve për rritjen prej pesë për qind për të gjithë pensionistët.

1.6 PUNËTORË MBAN NJË PENSIONISTË

Në ndërkohë, problemi kryesor sipas njohësve të ekonomisë, për funksionimin e Fondit pensional në Maqedoni dhe pagesën e rregullt të pensioneve është fakti se në vitin 1991, tre të punësuar kanë mbajtur një pensionist, ndërsa tani – 1.6 i punësuar mban një pensionist, andaj edhe kemi minus në arkën e Fondit Pensional që nuk mund të funksionojë pa një injeksion të fuqishëm financiar nga arka e shtetit. Gjithashtu, edhe i lirimi nga pagesa e kontributeve për punëtorët e investitorëve të huaj në zonat e lira, subvencionimi i punësimeve të reja në firmat vendore dhe ulja e kontributeve prej 21.9 për qind në 18 për qind në vitin 2010, rëndoi mjaft gjendjen financiare të Fondit Pensional. Nga viti në vit rriten dotacionet nga buxheti për pensionet që arrijnë në më shumë se 40 për qind të të hollave të nevojshme për pagesën e rregullt të pensioneve, e dhënë kjo që tregon se Fondi Pensional është i varur nga të hollat që i transferohen nga buxhetit i shtetit.

Në ndërkohë, ekonomistët thonë se në Maqedoni pensionet janë rritur bile edhe më shumë se rritja ekonomike. “Në vitin 2015 dhe 2016 kishim rritje prej 3 për qind, ndërsa kishim rritje të pensioneve prej 5 për qind në vit që e tejkalon kapacitetin e ekonomisë vendore. Një trend i tillë jo i harmonizuar midis rritjes ekonomike dhe rritjes së pensioneve filloi pas vitit 2008, kur krahas rritje së njëhershme të pensioneve, gati të gjitha harmonizimet e rregullta të pensioneve janë më të larta se rritja e ekonomisë. Deri në vitin 2008, kur ekonomia rritej në mesatare me 3.1 për qind, pensionet rriteshin me një shkallë mesatare prej 2.9 për qind. Pas vitit 2008, ekonomia në mesatare rritej për nga 2.4 për qind, ndërsa pensionet rriteshin më shumë se dy herë me nga 6.5 për qind”, thonë nga instituti ekonomik Fajnens Think.

Nga atje shtojnë se qëndrueshmëria dhe stabiliteti financiar i Fondit Pensional, përjashton mundësinë e rritjes së pensioneve jashtë harmonizimit ligjor, jashtë rritjes më të madhe ekonomike si dhe nuk përfshin masa populiste që në mënyrë shtesë do të ngarkojnë arkën e Fondit Pensional. Në ndërkohë, pensioni mesatar në Maqedoni ka arritur në 14.445 denarë që është afër 60 për qind e pagës mesatare prej 24 548 denarë. Analizat tregojnë se afër 30 për qind e pensionistëve marrin pensione ndërmjet 130 deri 160 euro, shtatë për qind marrin pensione deri në 130 në muaj, ndërsa privilegjin që të kenë pleqësi të rehatshme lidhur me të ardhurat e kanë 3600 pensionistë që fitojnë ndërmjet 600 dhe 800 euro në muaj. Njëherazi të dhënat tregojnë se 7.7 për qind apo afër 24 mijë pensionistë përkundër të ardhura mujore jetojnë në varfëri. Në dhjetor të vitit 2018, pension prej 11.563 denarë apo më pak se 200 euro, kanë pranuar 75.680 pensionistë, që si shumë është më e vogël edhe se paga minimale.

MODEL I RI THELLON HENDEKUN

Shoqatat e pensionistëve vlerësojnë se modeli i ri i llogaritjes së pensioneve do të thellojë hendekun midis pensionistëve, ndërsa pensionistët me të ardhura më të vogla mund të shndërrohen edhe në raste sociale.

“Në rast se ndihma sociale arrin në 11.700 denarë, ndërkohë që kemi një grup më të madh të pensionistëve që marrin më pak edhe se 9000 denarë pension, atëherë nuk mundet dikush që ka punuar aq vite të ketë pension më të vogël se ndihma sociale. Andaj nga qeveria do të kërkojmë që të ketë rritje të jashtëzakonshme për pensionistët me pensione më të ulëta”, thotë Dragi Argirovski, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Maqedonisë.

Në ndërkohë, në Serbinë fqinje me vendim qeveritar deri në muajin nëntor të vitit 2019, pensionistët me të ardhura më të vogla do të fitojnë krahas pensionit të rregullt, edhe shtesë prej pesë për qind në pension. Ndryshe, plakje të popullatës dhe uljen e mëtejshme e numrit të punësuarve që mbajnë një pensionist parashikojnë analizat e Fondit Pensional. Analizat e raportit aktual të Fondit Pensional të Maqedonisë tregojnë se do rritet numri i pensionistëve nga afër 300 mijë në 470.000 në vitin 2050. Harxhimet për pagesën e pensioneve parashikohen të rriten prej afër 700 milion euro në 1.5 miliardë euro, ndërsa pensionet mesatare pritet të zvogëlohen nga 53 në 43 për qind të pagës mesatare neto.

Raporti alarmon se në periudhën e ardhshme se vjen e më pak të siguruar do të paguajnë për një numër më të madh të pensionistëve dhe do të paraqiten vështirësi në mbulimin e harxhimeve të Fondit Pensional. Analizat bazohen në projeksionet afatgjate për ardhmërinë e sistemit pensional në vend të bazuara në lëvizjet e ardhshme demografike dhe ekonomike të përgatitura nga institucionet përkatëse. Sipas ekonomistëve, një nga zgjidhjet më pak të dhimbshme për mungesën e të hollave në sistemin pensional me qëllim që ai të mos ketë nevojë të marrë injeksione financiare nga buxhetit i shtetit, si dhe vetë-qëndrueshmërisë së tij është rritja e numrit të të punësuarve që do të mbushin arkën e Fondit Pensional. Megjithatë një gjë e tillë le për të dëshiruar në kushte të rritjes modeste ekonomike të Maqedonisë që nuk hap shumë vende të reja pune në sektorin privat.

PENSIONET NË BOTË

Luksemburg: 1350 euro

Slloveni: 500 euro

Kroaci:300 euro

BeH: 200 euro

Serbi: 223 euro

Mal i Zi: 284 euro

Shqipëri: 125 euro

Rusi: 190 euro

Greqi: 565 euro

Japoni: 680 euro

Austri: 992 euro

Francë: 800 euro

Suedi: 770 euro