Ka filluar të agjërojë që në moshën 7 vjeçare. E, Ramazani i sivjetmë është i 85-të që po agjëron. 91 vjecari Nuredin Ademi nga fshati Vaksincë i komunës së Likovës para kamerës së gazetës Lajm thotë se Ramazanin gjithmonë e ka pritur me dëshirën më të madhe, pasi i ka sjellë kënaqësi shpirtërore, shkruan gazeta Lajm.
Si njeriu më i moshuar në fshatin e tij, haxhi Nuredini thotë se Ramazani dikur kishte më shumë “shyhret”, pasi mblidheshin më në familje dhe gëzoheshim për iftar. Megjithatë, sipas tij ka qenë edhe më vështirë për të agjëruar, për shkak të punëve që kanë pasur në fushë.
Haxhi Nuredini rrëfen se edhe dy prindërit e tij kanë jetuar gjatë. Ndwrsa, ai ka arritur brezin e pestë në familjen e tij. Asnjëherë në jetë se kishte menduar se do të përjetojë kënaqësinë me nipa e mbesa, stërnipa e stërmbesa. Dallimi në moshë mes tij dhe nipit më të vogël në familje është 90 vjet.
Edhe pse në moshë kaq të shtyer Haxhi Nuredini gëzonte shëndet të mirë. Nganjëherë ndalej dhe mendohej e më pas fillonte të rrëfente ndonjë ngjarje që kishte përjetuar gjatë këtyre viteve në jetë./Gazeta Lajm