Haxhiu: Derisa ka barrikadime nga LDK, nuk mund të ketë koalicion qeverisës

Pas mbledhjes disa orëshe të kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka deklaruar se nuk mund të thotë me garancë se do të ndodhë marrëveshja për koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, meqë ekzistojnë barrikadime nga ana e LDK-së.

Marketing

Haxhiu ka thënë se janë shumë të interesuar për marrëveshje, por derisa ka barrikadime të tilla si kërkesa për postin e presidentit, nuk mund të ketë koalicion qeverisës.

Ajo tha se sot në orën 16:00 në Kuvendin e Kosovës, do të mbahet takimi i dy partive me qëllim të arritjes së marrëveshjes, por nuk duhet krijuar shpresa të qytetarët duke iu thënë se patjetër do të bëhet koalicioni.

Albulena Haxhiu ka thënë se kërkesa e LDK-së për të pasur kryetarin e Kuvendit dhe Presidentin, për Vetëvendosjen është e padrejtë, meqë presidenti i ri nuk pritet të zgjidhet deri në vitin 2021, andaj siç tha ajo, është herët të flitet për emrin e tij që do të mbajë postin e presidentit.

“Sot kemi takimin në orën 4 me përfaqësuesit e LDK-së, do të bëjmë përpjekje për të arritur koalicionin në mes të VV LDK, por padyshim nuk mund të themi me siguri të plotë që kjo do të ndodh, për fakti që ka në anën tjetër barrikadime, dhe për sa kohë kemi barrikadime të tilla nga qëndrimet nuk mund të kemi një koalicion qeverisës. Megjithatë siç kemi shprehur në vazhdimësi vullnetin dhe angazhimin tonë do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtit, por nuk mund të them se do të ketë garancë”, tha Haxhiu pas mbledhjes së kryesisë së Vetëvendosjes.

Ajo bëri ftesë që të hiqet dorë nga barrikadimet.

“Nuk është në rregull që para qytetarëve të krijojmë shpresa që do të bëhet patjetër koalicioni, megjithatë ajo çka ne i sigurojmë qytetarët është se do të angazhohemi maksimalisht, por bëjmë ftesë të heqin dorë nga barrikadimet e deritanishme”, shtoi ajo.

Marketing