Eden Hazard duket se është gjithnjë e më pranë Realit të Madridit. Futbollisti belg i Chelseat, pas mbylljes së kampionatit në Angli ka deklaruar se tashmë e ka marrë vendimin e tij për të ardhmen, e se për këtë ka njoftuar edhe drejtuesit e klubit.
“Vendimi është marrë tashmë. Unë vet do të doja që të ishte ndryshe, por për fat të keq kjo nuk ndodhi. Gjithsesi jam ende në pritje. E mora vendimin, por jo gjithçka është nën kontrollin tim. Përpara dy javësh iu bëra të ditur drejtuesve të klubit atë çfarë dëshiroj”, tha Hazard.
Hazard nuk e përmendi Realin e Madridit, sigurisht, por la të kuptohej se tashmë aventura e tij te Chelsea po shkon drejt përfundimit, teksa është në pritje të 29 majit, kur në Baku të Azerbajxhanit “blutë” e Londrës do të luajnë finalen e Europa League kundër Arsenalit.