Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbledhur në takim të përbashkët kryetarin e Likovës, Erkan Arifi dhe atë të Novobërdës, Svetislav Ivanoviç, për të filluar bashkëpunimin ndërkufitar, si komuna të përafërta për kah numri i banorëve dhe me ngjashmëri në fushën e turizmit.
Kryetari Haziri, ka thënë se kjo ishte iniciativë për mundësi bashkëpunimi gjatë të ardhmes mes këtyre dy komunave me zhvillimin e projekteve ndërkufitare në interes të zhvillimit të këtyre Komunave dhe njëkohësisht edhe promovimin e vlerave të përbashkëta.
Haziri gjithashtu ka potencuar faktin se këto Komuna Likovë dhe Novobërd mund të bashkëpunojnë gjatë të ardhmes në shumë fusha, por turizmi dhe shkëmbimi I përvojave është një mundësi për të gjetur forma të ndryshme për realizimin e projekteve të përbashkëta në shërbim të qytetarëve.
Dy kryetarët Arifi e Ivanoviç kanë falënderuar iniciativën e kryetarit Haziri për krijimin e urave lidhëse mes këtyre dy komunave me interes të zhvillimit dhe shkëmbimit të përvojave, por edhe mundësinë e thithjes së fondeve për projekte madhore gjatë të ardhmes.
Nga ky takim kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka bërë të ditur angazhimin e tij edhe për krijimin e lidhjeve të bashkëpunimit mes Komunës së Kamenicës dhe një komune tjetër në Maqedoni, për të krijuar lidhje të bashkëpunimit ndërkufitar.
Deri më tani Komuna e Gjilanit dhe e Vitisë janë komuna që kanë realizuar projekte te përbashkëta me Komunën e Kumanovës, Çairit, Likovës dhe Komuna të tjera, duke tërhequr fonde nga Komisioni Evropian për projekte në valorizimin e zejeve, por edhe projekteve në bujqësi. kosovapress