„Heronjtë e ndershmërisë” vizituan edhe dy shkolla të tjera të Shkupit

Nxënësit e shkollave fillore „Vëllezërit Ramiz – Hamid” në Shuto Orizarë dhe „Vojdan Çernodrinski“ në Taftalixhe u përfshinë në fushatën edukuese kundër korrupsionit „Bëhuni heronj të ndershmërisë“.

Marketing

„Si arsimtarë kemi për detyrë jo vetëm që të arsimojmë, por edhe të edukojmë. Mu për këtë shkak jemi të lumtur se edhe shkolla jonë është pjesë e fushatës e cila nxënësve duhet t’ua përafrojë dhe sqarojë temat e korrupsionit dhe integritetit“ theksoi drejtori i shkollës „ Vëllezërit Ramiz – Hamid”, Alvin Salimovski.

Nga ana tjetër, drejtorja e ShF „Vojdan Çernodrinski“, Verica Netkova Projçeva, porositi me këtë rast:

„Për respektimin e vlerave themelore dhe shoqërore si ndershmëria, integriteti dhe etika duhet të mësohet që në moshë të re. Prandaj nevojitet edukim i vazhdueshëm për temat e këtilla në sistemin arsimor. Vetëm kështu do të ndërtojmë nxënës të ndërgjegjshëm“.

Kjo fushatë është nismë e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit si pjesë e Aktivitetit për kundër korrupsion dhe për integritet, që e zbaton Zyra e Fondacionit ndërkombëtar për sisteme zgjedhore (IFES) në Shkup, ndërsa e financon USAID-i.

„Fëmijët nuk kanë nevojë të dinë përkufizimin e korrupsionit, por të kuptojnë thelbin e problemit. Ne kemi nevojë për një masë të pastër kritike, besoj në ndryshimet, vetëm kështu do të ndërtojmë një shoqëri në të cilën çdonjëri dëshiron të jetojë, për shkak se në fund të ditës të gjithë jemi heronj të ndershmërisë. Vetëm duhet të bëhemi të fortë dhe të mbështesim njëri-tjetrin. Prindërit janë ata të cilët duhet t’u tregojnë fëmijëve se nuk duhet të kërkojnë „lidhje“ dhe rrugë të shkurtra“, theksoi Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit..

Qëllimi i fushatës është që të ngrihet vetëdija te nxënësit dhe nxënëset për efektet e dëmshme të korrupsionit. Ekipi bën të ditur se është i nevojshëm krijimi i lëvizjes anti-korrupsion në vend që do të kontribuonte për një shoqëri me zero tolerancë ndaj korrupsionit.

„Korrupsioni në çdo vend ndikon para së gjithash në funksionimin e përditshëm të qytetarëve, ndërsa kjo gjë pasqyrohet në sistemin arsimor, administratën shtetërore, ekonominë, me atë që shtie mosbesim të plotë në sistem. Programet arsimore dhe lloji i fushatave të këtilla janë mjetet që do na mundësojnë gjeneratat e tashme dhe të ardhshme të zvogëlojnë më shpejt korrupsionin“, bënë të ditur nga Zyra e Fondacionit ndërkombëtar për sisteme zgjedhore (IFES) në Shkup.

Deri më sot karvani vizitoi 5 shkolla, mbeten edhe 8 mbarë vendin. Ngjarjet janë ndërvepruese, fillojnë nëpërmjet bisedës së nxënësve me aktorët e njohur Igor Angellov dhe Fisnik Zekiri, në cilësi të udhëheqësve të ligjëratës edukuese, ndërsa me skenar të regjisores dhe skenaristes Eleonora Veninova.