Hertha Berlin i ka nisur bisedimet me Granit Xhakën, për kthimit e mundshëm të mesfushorit shqiptar të Arsenalit në Bundesligë.
Sipas RMC Sport, Hertha dështoi ta blejë mesfushorin e Lyon, Lucas Tousart – pasi ky i fundit e kishte refuzuar klubin gjerman – dhe tani ka vendosur ta transferojë Xhakën e padëshiruar në Arsenal, raporton Gazeta Express.
Hertha kishte bërë ofertë në vlerë 20 milionë euro për Tousart, i cila ishte refuzuar menjëherë.
Klubi gjerman ka hequr dorë nga francezi dhe tani vëmendjen e ka kthyer kah mesfushori shqiptar i Kombëtares së Zvicrës dhe Arsenalit, Granit Xhaka.
Trajneri i ri i Herthas, Jurgen Klinsmann, është i vendosur ta sjellë Xhakën në skuadër në janar.
Largimi i Xhakës nga gjiganti i Premierligës është dukur seç herë e më i mundshëm që prej kacafytjes së tij me tifozët e Arsenalit në tetor dhe humbjes së shiritit të kapitenit si pasojë.
Xhaka e njeh mirë Bundesligën gjermane, pasi ka qenë pjesë e Borussia Monchengladbach para se t’i bashkohej Arsenalit.