Hetim kundër tre vëllezërve për vrasje nga hakmarrja në Debresh të Gostivarit

Prokuroria Themelore Publike në Gostivar mori vendim për zbatimin e procedurës hetuese kundër tre personave sepse ekziston dyshimi se si bashkëekzekutues kanë kryer vepër penale “vrasje”.

Marketing

Nga Prokuroria thonë se vëllezërit dyshohet se me paramendim kanë privuar nga jeta bashkëfshatarin e tyre, ndërkaq motivi dyshohet të ketë qenë hakmarrja.

“Në ditën kritike fillimisht ka ndodhur një përleshje fizike mes njërit prej vëllezërve dhe viktimës. Pas përleshjes, i dyshuari ka thirrur vëllezërit e tij, të cilët të revoltuar kanë marrë armë zjarri nga shtëpitë e tyre – një kallashnikov dhe një pistoletë. Të tre kanë shkuar në shtëpinë e viktimës me një veturë të tipit “Volvo” me targa të Zvicrës. Kur e kanë gjetur, kanë qëlluar drejt tij me pistoletë dhe me automatik, duke i shkaktuar plagë të shumta me armë zjarri nga të cilat viktima ka ndërruar jetë menjëherë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.