Hetime për katër afera të mëdha kriminale, së shpejti pritet procedimi konkret

Policia dhe prokuroria kanë shtrënguar kapacitetet për zbardhjen e disa krimeve nga profile të larta, mëson Alsat, nga burime brenda organeve hetimore. Në rrethana anonimati mësohet se organi i akuzës për ndjekjen e krimit të organizuar është drejt finalizimit të zbardhjes së dyshimeve për afera kriminale brenda Lotarisë Shtetërore dhe në këtë drejtim burimet thonë se hetimi shtrihet në formë piramidale, duke filluar nga ish hierarkia e organit ekzekutiv e deri tek ish strukturat e Lotarisë Shtetërore. Nuk dihet se sa pista dyshimi janë ngritur dhe për sa afera, por ajo që dihet është se të paktën 6 persona janë vënë nën llupën e policisë dhe krimit të organizuar. Faza e tillë parahetimore pritet të përfundojë së shpejti.

Marketing

– Advertisements –

Para vitit të ri pritet që edhe një hetim tjetër, sipas burimeve të Alsat, të marrë një epilog nga procesi i gjatë hetimor rreth aferave të mundshme korruptive në TEC-in e Manastirit. Prokurimet publike për lëndët djegëse, servisimi i makinerive dhe tenderët për bashkëpjesëmarrje janë pistat mbi të cilat policia dhe prokuroria janë duke punuar në detektimin e veprave të mundshme penale, pas denoncimeve të bëra kohë më parë në adresë të organeve ligjzbatuese.

Hetimi sipas burimeve të njëjta është duke u zgjeruar edhe në termo-elektranën Osllomej të cilën grupi hetimor e ka cilësuar si “miniera e krimit”. Përveç hetimeve subjektive, policia ka shtrirë perimetrin e dyshimeve edhe tek persona fizikë me lidhje të forta familjare dhe politike, kryesisht nga përbërja e kaluar qeveritare.
Një hetim tjetër të cilin krimi i organizuar e ka zgjeruar dhe rikthyer për të zbardhur zinxhirin korruptiv, i referohet dhënies së pasaportave nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme personave me dosje kriminale dhe atyre në kërkim ndërkombëtar, skandale që vite më parë u shpalosën nga vetë VMRO-ja kur ishte në opozitë. Aksionet e fundit të policisë dhe prokurorisë të kryera në Shkup, Tetovë, Strumicë dhe Dojran duket se po çojnë drejt mbylljes së kapitullit me krimin e organizuar, për t’u liruar duart organeve të rendit që të krehin më pas korrupsionin e lartë. Aksionet e deritanishme dhe procedimi i tyre nën masa penale janë pritur dhe vlerësuar pozitivisht nga institucionet relevante ndërkombëtare për luftën kundër krimit dhe korrupsionit duke i cilësuar ato si shpresë për kthimin dhe rritjen e besimit të qytetarëve tek organet e drejtësisë.

Megjithatë grupet kriminale e posaçërisht ato të korrupsionit të lartë mbeten akoma të pa rrezikuara për sa kohë që Kodi i ri Penal i cili parashikon rikthimin e dënimeve për bashkëveprim kriminal dhe shpërdorimet me detyrën zyrtare presin dritën jeshile nga Komisioni Evropian. /Alsat.mk

Marketing