Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) ka ngritur procedurë kundër 1TV për shkak të fshehjes së pronësisë, njofton Portalb.mk.
Në seancën e nesërme në rend dite është caktuar shqyrtimi i propozim-vendimit për ngritjen e procedurës për eventualisht shkeljen e nenit 34 të nga ana e 1 TV. Procedura është ngritur pasi që Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13, në deklarimet publike është paraqitur si pronar i televizionit edhe pse juridikisht dhe formalisht nuk është. Neni 34 nga Ligji për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale e ndalon që ndonjë televizion të ketë pronar të fshehur. Nëse konstatohet se ka pronar të fshehur, ASHMAA mund t’ia marrë licencën për punë të medies.
Pronari i 1TV, sipas të dhënave nga Regjistri Qendror, është ndërmarrja BMJ Media Grup, ndërkaq drejtor është Jasna Mandiq, por edhe babai i Bojan Jovanovskit, Mile Jovanovski, i cili njëkohësisht është edhe drejtor në ndërmarrje. Emri i Bojan Jovanovskit nuk figuron askund në dokumentet zyrtare, ndërkaq ai në intervistat e dhëna në televizion është deklaruar se ai është pronar. BMJ Media Grup dhe 1TV kanë seli dhe adresë të njëjtë, Skupi 3/17.
1TV u themelua më 28 mars të vitit të kaluar. Edhe pse në programin e televizionit thuhet se është njëra ndër më të shikuarat, të dhënat zyrtare thonë se i njëjti gjatë fillimit të këtij muaji ka pasur shikueshmëri të vogël, gjegjësisht prej 1 deri në 2%, varësit prej ditës. Sa për krahasim, televizioni “Sitel”, në periudhën e njëjta ka pasur shikueshmëri prej 18 deri në 23% dhe ky televizion është në krye të listës. Për momentin televizionin e ndjek skandali me emisionin “Insajderi maqedonas”, për të cilin biznesmeni Zoran Zmanov ka akuzuar se Bojan Jovanovski i ka kërkuar 50.000 euro. Jovanovski i ka demantuar akuzat, ndërkaq në ndërkohë u paraqit edhe “Insajderi” i Serbisë, prej ku paralajmëruan padi se 1TV e ka shfrytëzuar logon e tyre, pa pasur licencë që ta shfrytëzojnë formatin në televizion. Ky emision vazhdimisht është paralajmëruar, por ende nuk ka filluar.