Vetëm konfirmimi zyrtar e ndan Gonzalo Higuainin nga bërja lojtari i Chelseat, pasi ai i ka kaluar me sukses testet mjekësore sot në Londër.
ANSA raporton se Higuaini i kreu testet mjekësore pa asnjë problem të mërkurën në mëngjes dhe tashmë e ka nënshkruar kontratën me të kaltrit nga Londra, transmeton Gazeta Express.
Tani mbetet të shihet nëse Chelsea do të jetë në gjendje ta regjistrojë sulmuesin argjentinas, i cili e kaloi pjesën e parë të këtij sezoni në Milan, në kohë për t’u paraqitur ndaj Tottenhamit në gjysmëfinale të Kupës së Ligës.
31-vjeçari i bashkohet skuadrës së Maurizio Sarrit si lojtar i huazuar nga Juventusi deri në fund të sezonit.
Chelsea ka opsion për t’ia zgjatur huazimin apo për ta blerë përfundimisht nga kampioni italian.