Hiqe nga duart atë celular! Rrëfimi ironik dhe kuptimplotë për çdo të ri, nga Umberto Eco…

Në disa raste kam rrëfyer se ç’më ndodhi në Francë më 1960-n, kur pasi fotografova si i marrë një mori katedralesh, hoqa dorë përfundimisht nga bërja e fotografive. Sepse kur u ktheva në shtëpi nuk rikujtoja dot çfarë kisha parë, ndërsa nga udhëtimi më mbetën si kujtim vetëm disa foto pa vlerë. Prandaj e flaka aparatin dhe gjatë udhëtimeve të mëvonshme atë që shihja mundohesha vetëm ta regjistroja në mendje. Si kujtim për më vonë, më shumë për të tjerët sesa për vete, blija kartolina shumë të mira.

Marketing

Dikur, isha vetëm njëmbëdhjetë vjeç, më tërhoqi vëmendjen poterja e pazakonshme në unazën e qytetit, ku më pati marrë osh turma e njerëzve. Pashë nga larg sesi kamioni pati përplasur një qerre që e ngiste një fshatar; kishte pasur edhe gruan me vete. Gruaja ishte plandosur përtokë me kafkën e çarë dhe dergjej mbi një grumbull gjaku dhe lënde trunore, ndërsa i shoqi e shtrëngonte në kraharor duke klithur nga dëshpërimi (në kujtimet e mia, ende të llahtarshme, skena më fanepsej si një tortë me pana e luleshtrydhe, e shkelur me këmbë).

I terrorizuar nuk u avita më tepër, jo vetëm pse ishte hera e parë (fatmirësisht, edhe e fundit) që shihja tru të shpërndarë mbi asfalt, por sepse për herë të parë u gjenda përballë vdekjes. Dhe përballë dhimbjes, dëshpërimit. Çfarë do të kishte ngjarë sikur të kisha pasur një celular me telekamera, sikurse e kanë sot të gjithë fëmijët? Mbase do ta kisha regjistruar skenën për t’u treguar miqve se unë isha aty, pastaj ndoshta këtë pasuri do ta hidhja në YouTube për të kënaqur ithtarët e tjerë të “schadenfreude”, ndryshe, të gazit që ndien nga gjëma e tjetrit.

Pastaj, ku i dihet, duke regjistruar fatkeqësi të tjera, dhimbja e tjetrit s’do më bënte më përshtypje. Përkundrazi, unë ngjarjen e regjistrova në kujtesë dhe ato pamje, edhe tash pas shtatëdhjetë vjetësh s’më hiqen nga mendja dhe vazhdojnë të më edukojnë: po, ato më bëjnë ta ndiej në shpirt dhimbjen e tjetrit. Nuk e di nëse djelmoshat e sotëm e kanë ende këtë mundësi për t’u ndjerë të rritur. Sot, kjo racë të rriturish ka humbur përgjithmonë, ngaqë fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë.