Amir Rushiti është përgjegjës kryesor i bazës së të dhënave në kompaninë industriale zvicerane “Autoneum” ku mbi 80 analistë nga e mbarë bota kanë qasje direkte dhe raportojnë në baza ditore.
“Autoneum” është një kompani industriale zvicerane, lidere globale në prodhimin e komponenteve automotive. Është e shtrirë në 5 kontinente dhe ka mbi 12.000 të punësuar. Njëri nga ta është edhe Amir Rushiti, shkruan albinfo.ch.
I riu me prejardhje nga Gjilani, në Departamentin e Zhvillimeve Strategjike kryen punën e analistit të të dhënave inteligjente dhe analitike. Pos kësaj, është edhe përgjegjës kryesor i bazës së të dhënave, ku mbi 80 analistë të tjerë nga e mbarë bota kanë qasje direkte dhe raportojnë aty në baza ditore.
Çdo kush që do t`i lexonte këta rreshta do të mendonte patjetër se çfarë privilegji qenka të kesh një pozitë të tillë. Por a ishte e lehtë për Amirin të vinte deri këtu, cili është tregimi që fshihet mbrapa kesaj të arriture.
“Nuk janë rrethanat që përcaktojnë kufijtë tanë, është këmbëngulja, puna, besimi te vetja që të bëjnë të arrish ëndrrën, pavarësisht çdo rrethane apo pengese. Suksesi është i arritshëm nga kushdo që merr në dorë vetë fatin e tij dhe vrapon e nuk lodhet për të prekur atë për të cilën ndjen se është lindur, ëndrrën”. Është kjo një thënie e preferuar e Amirit, kur kujton rrugëtimin e tij deri këtu.
Një tragjedi familjare që ia përcakton rrugën e jetës
I lindur në Gjilan, si fëmija i parë pas 15 vjetësh martesë të prindërve të tij, që në fillim ai përballet edhe me vështirësitë e para të jetës. Si pasojë e një aksidenti në komunikacion, babai i Amirit atëbotë 6-vjeçar, mbetet i vdekur, duke ia bërë edhe më të vështirë ekzistencën familjes.
I shtyrë nga një gjendje e tillë, si pasojë edhe e kushteve të rënda financiare, detyrohet të punojë me karrocë në tregun e qytetit, apo edhe të shesë pije apo gjëra të tjera në vende të ndryshme në qytet. E gjitha kjo ishte për t’u pajisur sa më mirë me materialet e nevojshme shkollore, e për të mos u dalluar shumë nga bashkëmoshatarët e tij.
Më vonë si një të rritur, Amirin e gjejmë të punonte edhe në restorante të qytetit të tij, ku angazhohej në punë të ndryshme. Të ardhurat që i fitonte nga kjo punë më në fund arrijnë në destinimin e tij të kahmotshëm, në blerjen e një kompjuteri. Këtu ka fillin edhe pasioni i tij ndaj informatikës. Si rrjedhojë, pas një kohë të shkurtër, Amiri fillon të kërkohet shumë nga njerëz të ndryshëm që kërkonin ndihmën e tij për problemet në kompjuterët e tyre, shkruan albinfo.ch.
Sfida për të mos hequr dorë nga ëndrra
Pas kryerjes së shkollimit të mesëm, Amiri mësyen Fakultetin e Matematikës në drejtimin e Shkencave Kompjuterike, kohë gjatë së cilës edhe punësohet në departanentin e Teknologjisë Informative në KEK në Prishtinë, duke lehtësuar shumë shpenzimet për studimet e tij.
“Sfida më e madhe në këtë rrugëtim ka qenë si të arrij ta mbaj veten të motivuar sistematikisht e të mos heq dorë nga realizimi i ëndrrës”, thotë Amiri për albinfo.ch, kur pas pak edhe fiton bursën për drejtimin Master në një ndër universitetet më të njohur në botë, në Westminister të Londrës, në departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike – fusha e të dhënave inteligjente dhe analitike.
Rëndësia e studimeve në universitetet prestigjioze të botës
Për Amirin, studimet jashte vendit, veçanërisht ato që kryhen në universitete prestigjioze të japin shumë, jo vetëm dije, por edhe eksperiencë e kulturë universale. E për me tepër, këto universitete ofrojnë mundësi të mira per të konkretizuar dijen. Kështu Amirin nga aty e përcolli fati që të punësohet në kompaninë me renome botërore “Tesla Motors Cars” si analist i të dhënave inteligjente.
Dëshira për sfida të reja, e sjell Amirin në Zvicër, ku për një kohë punësohet në një ndër kompanitë gjigante botërore “Lafarge Holcim”, ku ushtroi detyrën si analist i tregut inteligjent në Departamentin e Zhvillimit të biznesit dhe marketingut strategjik.
Krahas punës, ka marrë edhe disa angazhime shtesë, duke themeluar grupin “CH Albanian Professionals”, një business/professional grup, në të cilin anëtarët, gjatë takimeve mes vete, shkëmbejnë ide apo edhe diskutime te shumta.
Por edhe pse ka arritur shumë, ai nuk harron asnjëherë vendlindjen, aty ku edhe nisi gjithçka. Pos vizitave familjare, ai ngazhohet pothuajse në çdo vizitë në Kosovë, që të mbajë ligjërata në disa universitete të Kosovë, si profesor vizitor.