Pikërisht para 50 vitesh, në 6 tetor të vitit 1973 në pamundësi për të rimarrë territorin që kishin humbur në 1967 me mjete diplomatike, Egjipti dhe Siria filluan ofensiva të mëdha kundër Izraelit në festën hebraike të Ditës së Shlyerjes ose Yom Kippur.
Forcat izraelite u futën në Siri përtej Lartësive të Golanit, megjithëse më vonë hoqën dorë. Në Egjipt, forcat izraelite rifituan territorin dhe përparuan në anën perëndimore të Kanalit të Suezit. Lufta e la Izraelin më të varur nga SHBA për mbështetje ushtarake, diplomatike dhe ekonomike. Duke ardhur disa vjet pas luftës së vitit 1967, në të cilën forcat izraelite mundën fqinjët e tyre arabë në më pak se një javë, duke pushtuar territoret ku palestinezët tani kërkojnë shtetësinë, kostoja e jetëve dhe mospërgatitja e vendit, në 1973 shkaktuan kriza të cilat kanë vazhduar edhe sot e kësaj dite. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik dhe Kombet e Bashkuara bënë të gjitha ndërhyrje diplomatike për të arritur marrëveshje armëpushimi.
Mbi 2,600 izraelitë u vranë, nga ana tjetër, nuk dihen shifra të sakta të viktimave, por vlerësimet shkojnë deri në 15,000 egjiptianë dhe 3,500 sirianë të vdekur. Pesë vjet më vonë, Izraeli nënshkroi një marrëveshje paqeje me Egjiptin, më pas me Jordaninë në 1994, e ndjekur në 2020 nga marrëveshjet me dy shtete të Gjirit.
Në përvjetorin e pesëdhjetë të kësaj lufte historia ripërsëritet, por këtë herë luftimet mes palëve kanë marrë përmasat e një lufte në shkallë të gjerë.
Skenat e dhunës në Sderot dhe komunitetet e tjera rreth Rripit të Gazës, me persona të armatosur palestinezë, duke rrëmbyer dhe vrarë civilë, po shkaktojnë dhe do të vijojnë të trondisin gjithë Izraelin. Hamasi ka provuar taktika të shumta në të kaluarën, nga bomba vetëvrasëse te tunelet, por militantët me bazë në Gaza nuk kanë provuar kurrë më parë diçka kaq të guximshme nga distanca. Sipas analistëve, sulmi i fundit çuditërisht ka qenë i organizuar, gjithçka u bë në fshehtësi të fortë, duke gjetur të papërgatitur Izraelin.
Për rreth 50 vjet lufta ka sjellë probleme të mëdha ekonomike për palestinezët, të cilët jetojnë në kufirin e varfërisë. Një raport i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se për çdo rimëkëmbje të qëndrueshme ekonomike afatgjatë në Gaza, “heqja e bllokadës dhe lehtësimi i kufizimeve të vendosura nga Izraeli janë thelbësore”.
Për shumë analistë sulmi mëngjesin e së shtunës i Izraelit tregon një dështim kolosal të inteligjencës. Vendi ka një nga rrjetet më të gjera dhe më të sofistikuara të inteligjencës në Lindjen e Mesme. Ai ka informatorë të vendosur brenda grupeve militante jo vetëm në territoret palestineze, por në Liba, Siri dhe shumë vende të tjera. Në të kaluarën, ajo ka qenë në gjendje të vrasë liderët militantë. E megjithatë sot, në fund të një feste hebraike, inteligjenca dështoi.