Historike, Alioski fiton AFC Champions League!

Ezgjan Alioski ka hyrë në historinë e futbollit tonë duke u bërë lojtari i parë shqiptar (asnjë reprezentues i Maqedonisë nuk e kishte fituar më parë) që fiton trofeun më të rëndësishëm të klubeve në kontinentin aziatik, AFC Champions League.

Në finalen e madhe të luajtur sot, Al Ahli i Arabisë Saudite mposhti me rezultat të pastër 2:0 ekipin japonez Kawasaki Frontale, duke e ngritur për herë të parë këtë trofe në histori. Golat për kampionët u realizuan nga Galeno (35’) dhe Franck Kessié (42’).

Ashtu si në gjysmëfinalen e fituar 3:1 ndaj gjigantëve të Al Hilal, Ezgjan Alioski ishte titullar edhe në finalen e sotme dhe zhvilloi një 90-minutësh shumë pozitiv, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur në fushë. Kontributi i tij i pandalshëm në krah, eksperienca dhe vendosmëria e bënë protagonist në suksesin historik të Al Ahlit.

Ky është një moment krenarie për sportin shqiptar, me Alioskin që vendos një gur themeli në historinë e futbollit tonë në arenën ndërkombëtare.

 

Marketing