Holana ka ndaluar përdorimin e aplikacionit të inteligjencës artificiale të kompanisë kineze DeepSeek në pajisjet në pronësi të qeverisë.
Sipas transmetuesit publik holandez NOS, ministri i Shtetit për Digjitalizimin dhe Marrëdhëniet e Mbretërisë, Zsolt Szabo, ka deklaruar se përdorimi i DeepSeek-ut në pajisjet në pronësi të qeverisë është ndaluar.
Aplikacioni i inteligjencës artificiale DeepSeek është cilësuar si një “aplikacion i prirur për spiunazh” dhe për këtë arsye është ndaluar të përdoret në pajisjet publike, tha NOS.
Siç raportohet, ndalimi i përdorimit të DeepSeek-ut vlen për pajisjet e qeverisë qendrore, ndërsa qeveritë lokale mund të vendosin një kufizim të ngjashëm për punonjësit e tyre.
Autoriteti Holandez për Mbrojtjen e të Dhënave Personale bëri thirrje për përdorim të kujdesshëm të aplikacionit në një deklaratë javën e kaluar.
DeepSeek, i mbështetur nga fondi “High-Flyer Capital Management” në Kinë, lançoi më 20 janar modelin e tij të ri me burim të hapur, DeepSeek-R1, të cilin e zhvilloi me një kosto të ulët dhe duke përdorur një numër të vogël çipash në krahasim me kompanitë e tjera të inteligjencës artificiale.
Modeli i inteligjencës artificiale, i cili shpejt filloi të përdoret gjerësisht në mbarë botën, është bërë aplikacioni më i shkarkuar i inteligjencës artificiale në dyqanet e aplikacioneve, duke lënë pas ChatGPT me bazë në SHBA.
Marina amerikane, shteti i Teksasit, Italia, Australia, Tajvani dhe Koreja e Jugut kanë marrë vendime të ngjashme me Holandën në lidhje me DeepSeek-un.