Kryeministri Zoran Zaev disa herë në paraqitje televizive ka theksuar se Qeverinë e tij e karakterizon llogaridhënia dhe transparenca ndaj qytetarëve dhe se kanë kontroll mbi harxhimet buxhetore. “Qytetarët e dinë sa kafe ose ujë pi kryeministri ose ministrat”, tha muaj më parë në një paraqitje televizive kryeministri Zaev. Edhe funksionarë tjerë qeveritar në vazhdimësi flasin se Qeveria është e përgjegjshme dhe se kjo është njëra nga përkushtimet e tyre strategjike. E tillë ishte deklarata e ministrit të Policisë, Oliver Spasovskit, i cili fliste për “transparencë gjithëpërfshirëse”. Por këto deklarata para opinionit ndonjëherë duken si fanta-shkencë, sepse nëse i hulumton mirë – dëshmohet se nuk është edhe ashtu siç pretendojnë funksionarët qeveritarë.
Duke hulumtuar se çfarë paguan Qeveria, BIRN përmes një kërkese për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik i mori gjitha faturat që janë paguar përmes agjencisë autoriale “Artpick” për dhjetor të vitit 2020, për “shërbimet tjera kontraktuale”. Hulumtimi ka treguar se Qeveria me mbi 250 të punësuar në sekretariat, në mënyrë shtesë në dhjetor të vitit të kaluar ka angazhuar edhe 58 persona, por për dallim nga të punësuarit që janë të potencuar me emër dhe mbiemër, këto persona që janë paguar me honorarë kanë qenë të fshehur deri dje. Pas gjitha përpjekjeve të deklaruara për transparencë, Qeveria që fillimisht kishte insistuar të njëjtit të mbeten anonim, të hënën u dorëzua. Bëhet fjalë për honorare, të cilët për një muaj arrijnë vlerën e mbi 37 mijë euro. Në to bëjnë pjesë angazhime si: shkrues të kumtesave nga preset, organizatorë të produksioneve, këshilltarë për luftën kundër Kovid-19, grafik dizajner, montazher, këshilltarë për gjeodezi, këshilltarë për integrime evropiane, përkthyes etj.Pas presionit të opinionit, Qeveria e shpalosi listën e honorarëve që përmban të dhëna edhe për vlerën e honorarit, por edhe përshkrim se për çfarë janë angazhuar ata persona. Një pjesë e madhe të honorarëve lëvizin prej 14 deri më 60 mijë denarë. Honorari më i ulët është 14.500 denarë dhe është paguar për “interpretimin e gjuhës në pres konferenca për nevojat e zyrës së kryeministrit”, ndërsa honorari më i madh është afro 1000 euro dhe është paguar për “analizë të informatave dhe të dhënave për përgatitjen e raportit për elaborim të këshillit IKT”. Vetëm për një person është përmendur se ka punuar pa kompensim për analizë të të dhënave dhe përgatitje për raport për elaborim nga lëmia e energjetikës.
Ajo që vërehet në listën e djeshme për 58 personat, të publikuar nga Qeveria për honorarët, është se figurojnë shumë pak shqiptarë, përkatësisht tetë. Edhe ato pak shqiptarë që u gjendën në listë, ishin të angazhuar për përkthime dhe disa veprimtari tjera të cilët janë paguar më pak në krahasim me disa persona tjerë të angazhuar me përkatësi maqedonase. Si për shembull, Sevim Shaqiri që është angazhuar për përkthim nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, është paguar me 27.000 denarë në muaj.
Emel Rexhepi si përkthyese nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, është paguar gjithashtu me 27 mijë denarë. Arjeta Selimi për aktivitete protokollare dhe përkthim për nevojat e sekretariatit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, është paguar me 30 mijë denarë. Arben Fazliu, i cili është angazhuar për “Analizë të informatave dhe të dhënave për përgatitje të raportit me elaborimin dhe gjenerimin e të dhënave bazë dhe mbështetje teknike për nevojat e zëvendësit të sekretarit gjeneral të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, është paguar me 27 mijë denarë. Shpendi Vinca, i cili është angazhuar për “Analizë të informatave dhe të dhënave për përgatitjen e raportit me elaborim për gjenerim të të dhënave bazë dhe mbështetje teknike për nevojat e zëvendësit të sekretarit gjeneral të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, është paguar 27 mijë denarë. Bejtulla Mustafa, i cili është angazhuar për “Analizë të informatave dhe të dhënave, përgatitje teknike dhe përpunim të bazës së të dhënave për nevojat e zëdhënësit”, është paguar me 30 mijë denarë. Ilirian Sadiku i angazhuar për përkthim nga gjuha maqedonase në atë shqipe dhe anasjelltas, është paguar me 35 mijë denarë, ndërsa Petrit Saraçini i angazhuar për “akumilimin, rregullimin dhe analizë për informatat dhe të dhënat për përgatitje të raportit me elaborim dhe prezantim për koordinim të monitoringut mediatik”, është paguar me 42 mijë denarë.
RASTI ME HONORARET, INTERESANT PËR ANTIKORRUPSIONIN
Për rastin është interesuar edhe Komisioni Shtetërorë për Parandalimin e Korrupsionit, e cila pas reagimeve të opinionit, ka hapur lëndë për këtë rast. Ata vlerësojnë se veprat autoriale të cilat janë paguar me para buxhetore duhet të jenë publikisht të qasshme për qytetarët. Nga Qeveria arsyetohen se deri më tani nuk i kanë publikuar emrat me qëllim që të mbrohet integriteti dhe privatësia e personave të angazhuar. “Në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë të një numri sulmesh të organizuara plot dezinformata, madje edhe tani në këtë rast, ne jemi dëshmitarë të trillimeve përmes disa portaleve të internetit dhe mediave dhe në rrjetet sociale mbi baza personale dhe me përpjekje për të rrezikuar privatësinë e qytetarëve që kanë kontrata të pastra profesionale për kryerjen e detyrave për Qeverinë për të mbështetur aktivitetet që janë me interes për qytetarët”, thonë nga Qeveria. (koha.mk)