Hoti diskuton me ambasadorin amerikan prioritetet e qeverisë së re

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është takuar të premten me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, për të diskutuar prioritetet e qeverisë së re.

Marketing

Në një komunikatë për media është thënë se disa prej çështjeve kyçe të diskutuara kanë qenë edhe lufta kundër koronavirusit të ri dhe rimëkëmbja ekonomike.

“Krahas këtyre, ai theksoi edhe prioritetet e tjera, si forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i korrupsionit, rritja e punësimit, zhvillimi i tregut të lirë dhe marrja e përgjegjësive për dialogun”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Si Hoti, ashtu edhe ambasadori Kosnett kanë shprehur vendosshmërinë për të vazhduar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara.

Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë Hoti me 61 vota, më 3 qershor.

Qeveria e re e Kosovës është votuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit, i ka dhënë të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në mandatimin e Hotit për formim të qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.

Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.