Hoti: Me Serbinë po negociojmë për njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u tha deputetëve të Kuvendit të Kosovës se dialogun me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Marketing

Ai tha se ky nuk është dialog teknik, por dialog për marrëveshje finale me njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Me kërkesën e partisë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, kryeministri Hoti, është thirrur të enjten në interpelancë në Kuvendin e Kosovës.

Interpelanca ka të bëjë me vazhdimin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë për marrëveshjen e arritur në Uashington, ndërmjet të dyja shteteve.

Hoti ka thënë se Kosova ka obligim për të normalizuar raportet me vendet në rajon, duke përfshirë dhe shtetin e Serbisë.

“Integriteti territorial është i panegociueshëm, dhe nuk është shtruar si çështje para meje, organizimi kushtetues i Kosovës nuk bënë të preket, nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë. Për këto dy parime të dialogut, ka mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Parimi i tretë është se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Hoti.

Hoti tha se në këtë fazë të dialogut, është duke u bërë draftimi i elementeve të caktuara të marrëveshjes për njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Draftimi ka filluar me dy tema të cilat i kemi imponuar, personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike, pala serbe ka kërkuar që në diskutim të shtrohet edhe çështja e të zhvendosurve”, tha Hoti.

Dialogu në mes palëve në Bruksel është ripërtërirë më 16 korrik dhe ai po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

Të enjten të dyja delegacionet në nivel të ekspertëve diskutojnë në Bruksel për çështjet financiare.

Kryeministri e ka obligim kushtetues që t’i raportojë kuvendit edhe për çështje të politikës së jashtme, në veçanti për dialogun.

Kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja është nënshkruar në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump. Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guximin drejt përparimit të normalizimit të marrëdhënieve.

Marketing