Qeveria e Kosovës do të jetë e fokusuar në rimëkëmbjen ekonomike të vendit, ka thënë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një takim online me biznese, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës do të jetë e fokusuar në zhvillimin ekonomik afatgjatë, ndërtimin e politikave nxitëse për sektorin privat, politikat tatimore, zvogëlimin e informalitetit, themelimin e Fondit investiv, kompensimin e humbjeve ekonomike të shkaktuara si pasojë e pandemisë si dhe për investimet e jashtme përmes ligjit për investime strategjike”, ka thënë Hoti, sipas një njoftimi të qeverisë së Kosovës.
“Qeveria gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm parasheh futjen në ekonomi të një shume financiare prej 1.2 miliard euro si infuzion për zhvillim ekonomik, prej të cilave tashmë me rishikimin e buxhetit janë mobilizuar 384 milionë euro”, ka deklaruar para bizneseve kryeministri Hoti.
Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuar për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se janë shkaktuar dëme të mëdha.
Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë.