Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan në një intervistë për REL-in.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.
Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe. Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.
Paralajmërimi për hapjen e urës u bë pasi autoritetet e Kosovës më 5 gusht mbyllën zyrat e Postës së Serbisë në veri, veprim që është parë nga aleatët e Kosovës si “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.
Hovenier tha se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte.
“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.
Ai shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.