Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave Arjanit Hoxha dhe homologu i tij i Republikës së Shqipërisë Bledi Çuçi kanë nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunim Fitosanitar. Me këtë marrëveshje Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria hedhin një hap përpara në bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fushën e këmbimit të produkteve bujqësore. Pas nënshkrimit, dy ministrat u shprehën se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për krijimin e një korridori krejtësisht të lirë për qarkullimin e produkteve bujqësore në të dy vendet dhe një hap më tej drejt iniciativës strategjike të Shengenit Ballkanik për zhvillimin e rajonit tonë.
Ministri Arjanit Hoxha vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshje, e cila pason edhe lehtësitë e mëparshme të krijuara mes dy vendeve për lëvizjen e njerëzve vetëm përmes kartës së identitetit.
“Është një hap shumë i rëndësishëm drejtë heqjes së barrierave të ndalesave kufitare sidomos për produktet që afatin e kanë pasur shumë të shkurtër, të cilat në të kaluarën kanë qëlluar që të presin edhe 48 orë në pikat doganore. Pas lëvizjes me letërnjoftime të njerëzve, ky është një hap i radhës shumë i rëndësishëm drejt krijimit të një tregu të përbashkët, që i paraprin integrimit të të dy vendeve në Bashkimin Europian”, tha ministri Arjanit Hoxha.
Pas nënshkrimit, ministri Çuçi tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për krijimin e një korridori krejtësisht të lirë për qarkullimin e produkteve bujqësore në të dy vendet dhe një hap më tej drejt iniciativës strategjike të Shengenit Ballkanik për zhvillimin e rajonit tonë.
“Kjo marrëveshje nuk është gjë tjetër veçse bën të mundur që çdo ngarkesë me produkte bujqësore që shkon nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut apo anasjelltas, nuk do të ketë nevojë që në kufijtë reciprokë t’i bëhen analiza shtesë. Për produktet tona do të njihet çertifikata fitosanitare e Shqipërisë, për produktet bujqësore të Maqedonisë së Veriut do të njihet çertifikata fitosanitare e këtij vendit”, tha ministri Çuçi.
Gjatë takimit dy ministrat kanë paralajmëruar fillimin e bisedimeve për dy marrëveshje mjaft të rëndësishme për dy shtetet, Marrëveshja për Menaxhimin e Përbashkët të Qëndrueshëm të Peshkimit në Liqenin e Ohrit dhe Prespën e Madhe, si dhe Marrëveshja për Tregtimin e Kafshëve të Gjalla dhe Produkteve me Origjinë Shtazore, të cilat do të nënshkruhen gjatë një periudhe të mëvonshme pasi të finalizohet i gjithë diskutimi në nivel teknik mes palëve dhe të dakordësohen draftet.