Dyshimet dhe ankesat e banorëve të Konjares së Mesme në Shkup, që një parcelë e dhënë për qëllime bujqësore po shfrytëzohet për gërmim dhe eksploatim të rërës, bënë që Ministri i Bujqësisë Arjanit Hoxha dhe inspektorati i bujqësisë të dalin në inspektim të jashtëzakonshëm.
“Domethënë tani fillimisht duhet të konstatohet se toka nuk është punuar, inspektorët duhet ta konstatojnë këtë, nuk është diçka që po e themi ne, kjo të lëshohet në Ministrinë e Bujqësisë dhe ne do të veprojmë në bazë të dispozitave ligjore që kemi”, deklaroi Arjanit Hoxha – Ministër i Bujqësisë.
Po nuk kishte nevojë për ndonjë inspektim të madh për të vërtetuar se toka nuk po mbillet.
Inspektori: “Kjo që është e rrethuar bie nën koncesion, kjo këtu e para, por nuk punohet asgjë…”.
Nëse inspektorati zyrtarisht me shkrim konstaton se toka nuk është shfrytëzuar për bujqësi dhe se koncesioneri ka hyrë këtu për të eksploatuar rërë, Hoxha thotë se kontrata me Ministrinë e Bujqësisë do të prishet në mënyrë të njëanshme.
“Në rast se koncesioni i marrë nga Ministria e Ekonomisë ky hyrë në territor të tokës bujqësore, respektivisht e ka tejkaluar territorin që e ka me koncesion atëherë me siguri që edhe Ministria e Ekonomisë do të veprojë konform inspektorateve dhe vlerësimeve të tyre”, tha ministri i Bujqësisë, Arjanit Hoxha.
E sapo inspektimi përfundoi, në kthim Hoxhës iu desh të prezantohej para dikujt që po pyeste se kush ka hyrë në pronën e tij.
“Unë jam Qazimi”.
“Më vjen mirë”.
“Jam pronar i koncesionit, më lajmëruan se është dikush, thash të shoh se kush…”.
U ndanë pasi koncesioneri u informua se pse po bëhet inspektim në pronën e tij. Qazim Osmanoviq është pronar i “Progres Kompani” që nxjerr rërën në këtë zonë 30 km larg kryeqytetit.
Qazim Osmanoviq: “Çfarë nëse konstatohet se kompania ka nisur të gërmojë në tokë bujqësore?
“Nuk është e vëretë”.
Nuk është e vërtetë?
“Jo”.
“Shihet se ku gërmohet. Çdo javë vjen nga një inspeksion”.
Banorët e Konjares tashmë një kohë të gjatë protestojnë për gërryerjet që bëhen këtu, duke pohuar se janë dëmtuar nga puna kompanisë, por Osmanoviq thonë se protestat bëhen nga xhelozia.
Pse atëherë ankohen banorët këtu në Konjare?
“Nuk di të them saktë se pse por mendoj janë pak xhelozë…”.
Mendoni se ju xhelozojnë?
“Po çfarë tjetër?!
Përveç xhelozisë, çfarë ka tjetër…?
“Çfarë tjetër, thonë ujë për pije. Shkoj në Komunë, thonë është “ok” për pije. Ata thonë se ne e kemi bërë…Vijnë inspektorët, u thonë të korruptuar. Edhe po nuk folët si duan, do tu thonë se jeni I korruptuar”.
Sekretari i Bashkësisë Lokale të Konjares, Azem Qerimi, pohon se Osmanoviq është pronar edhe i tokës bujqësore. E kundërshtimet për punën e eksploatimit thotë se nuk janë për çështje xhelozie.
“Ne se kemi inatë askujt. Ishalla për mua bëhet milioner por jo në shpinën tonë”, tha Azem Qerimi – Sekretar i Bashkësisë Lokale.
Krahas dëmtimit të arave, pohon se gërryerjet përreth lumit Pçinja i ka lënë edhe pa ujë, të cilin e nxjerrin nga toka.
“Po ne e kemi pasur ujin këtu 4 deri në 3 metra, tani shkon 10 deri në 14 metra, kemi future gypa atje poshtë sepse kemi mbetur pa ujë dhe nuk kemi ujë për pije”, u shpreh Sekretari i Bashkësisë Lokale, Azem Qerimi.
Koncesionet për gërryerje dhe eksploatim i jep Ministria e Ekonomisë. Banorët shpresat i kanë po këtu, por deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar. Në një përgjigje për TV21 nga ministria thonë se në takimin e fundit me banorët janë marrë vesh që ata të dorëzojnë dokumente shtesë si argumente në favor të tyre që ministria të mund të kërkojë nga shërbimet inspektuese mbikëqyrje më të detajuar. Koncesioni i dhënë parashihet të përfundojë në vitin 2041.