Hoxha: Po injorohen kërkesat e bizneseve shqiptare

Institucionet shtetërore këtë vit kanë pasur qasje të barabartë ndaj kompanive vendore dhe investitorëve të huaj në vend, por niveli i realizimit të investimeve kapitale paraqet një shqetësim serioz, vlerësojnë nga OEMVP. Sipas kësaj Ode ekonomike, faktor tjetër shqetësues është edhe ajo se me buxhetin e vitit të ardhshëm po injorohen kërkesat e biznesit shqiptar në Maqedoni.

Marketing

“Në buxhetin e vitit 2018 ishin të parapara shpenzimet kapitale rreth 390 milionë euro, ndërsa deri në muajin tetor nga këto mjete janë realizuar vetëm 41%. Shqetësim për ne paraqet fakti që edhe në buxhetin e vitit 2019, mjete të ndara për zonën e Vizbegut janë vetëm 1 milion euro për kanalizim dhe ujësjellës. Ndërsa, kjo zonë arrin që të kontribuojë në ekonominë e vendit, duke realizuar 342.7 milionë euro qarkullim vjetor për vitin 2017”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.

Nga OEMVP theksojnë se gjatë takimit me kryeministrin Zaev u parashtruan 39 kërkesa konkrete për përmirësim të dispozitave ligjore dhe nënligjore, nga të cilat vetëm dy u realizuan. Kërkesat e OEMVP-së për vitin 2019 janë: “Të përmirësohet efikasiteti i institucioneve shtetërore për përgjigje ndaj kërkesave të biznesit, të eliminohen ngecjet administrative dhe procedurale për realizimin e investimeve kapitale; Të sigurohen mjete për zhvillim të barabartë rajonal prej 1% nga BPV; Të realizohen reforma në administratën publike dhe shtetërore, me qëllim të arritjes së efikasitetit të administratës për të prodhuar rezultate më të mira”,- u shpreh kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.

Nga Oda gjithashtu kërkojnë që institucionet shtetërore në të ardhmen të kenë qasje më inkluzive ndaj bizneseve të mos miratojnë ligje me procedurë të përshpejtuar pa konsultim të biznesit, po ashtu kërkojnë që kategoria e regjistrimit të kombësisë të jetë pjesë përbërëse e tij, për shkak se aspekti kulturor është i rëndësishëm për qasjen ndaj konsumatorëve.