Hoxha: Zëvendëskryeministri Lika vjen në punë

Të gjithë anëtarët e Qeverisë, duke përfshirë edhe zëvendëskryeministrin Hazbi Lika, i realizojnë obligimet dhe detyrat e tyre të parapara me rregullat ligjore, thonë nga Qeveria, si përgjigje të disa informatave se zëvendëskryeministri nuk vjen në punë, i hidhëruar gjoja me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti për shkak se nuk e ka përkrahur në betejën brenda partiake.

Marketing

“Zëvendëskryeministri Hazbi Lika vjen në punë dhe për çdo ditë i kryen obligimet e tij”, tha në konferencën e sotme për shtyp zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Duke e marrë parasysh faktin se zëvendëskryeministri Lika e udhëheq Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hoxha sqaroi se pa probleme po zhvillohet edhe procedura për sistematizimin e të punësuarve, të cilët nuk shkonin në punë.

Sipas informatave nga Sekretariati, shtoi Hoxha, ata së shpejti duhet të dalin me të dhëna se sa prej tyre kanë nënshkruar marrëveshje për sistematizim në institucionet shtetërore dhe sa janë në fazë të nënshkrimit. Ai paralajmëroi se po përgatitet edhe plan i dytë për sistematizim edhe të grupit të dytë prej rreth 700 të punësuar.

Zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski, megjithatë, shtoi se kjo Qeveri i plotëson obligimet dhe nuk i harron problemet.
“Keni pak më shumë durim për sistematizimin e të punësuarve në administratë, të punësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit, pasi problemi është dhjetëvjeçar dhe nuk është thjeshtë që tërë procesi të përfundojë për një muaj.

Bëhet fjalë për numër të madh të njerëzve dhe më shumë institucioneve, të cilat janë përfshirë. Ne këtë problem po e zgjidhim dhe do ta zgjidhim dhe kjo nuk është në korrelacion me atë se sa kush është i pranishëm në punë ose jo. Ky është proces pas të cilit qëndron Qeveria dhe do të përfundojë deri në fund”, tha Boshnjakovski.

Në pajtim me planin e parë, realizimi i të cilit është në vijim, në vende të punës duhet të sistemohen 958 të punësuar, të cilët nuk shkonin në punë.

Marketing