Hulumtim: Gati secili arsimtar përdor mjete digjitale në mësim

Gati secili arsimtar përdor mjete digjitale në mësim, tregon hulumtimi në kuadër të projektit për digjitalizim të arsimit i zbatuar në periudhën prej 6 deri më 30 maj 2020 ndërmjet kuadrit arsimor në shkollat fillore të territorit të komunave Vallandovë dhe Karposh.

Marketing

Prej gjithsej 250 arsimtarëve të anketuar në shkollat fillore, 237 ose 95 për qind janë deklaruar se përdorin mjete digjitale gjatë mësimit. Trembëdhjetë mësues kanë theksuar se përmbajtjet e tilla onlajn dhe ndihmat aspak nuk i respektojnë në zbatimin e procesit edukativ-arsimor.

Hulumtimi është realizuar nga Bojan Kordalov, specialist për marrëdhënie me publikun, ndërsa në kuadër të Projektit për digjitalizim të arsimit i cili pjesërisht është mbështetur financiarisht nga Asociacioni Alumni Maqedonas-Amerikan.

Kordalov thotë se edhe më parë, ndërsa veçanërisht pas paraqitjes së pandemisë së shkaktuar nga virusi korona, ishte e qartë se zbatimi i digjitalizimit të qëndrueshëm dhe efikas në arsim është një nga prioritetet më të rëndësishme të shoqërisë në tërësi.

Analiza, gjithashtu, tregon edhe se sipas mendimit të shumicës së arsimtarëve nuk ekziston ndonjë ekspert i cili është në dispozicion dhe iu ndihmon nëse kanë nevojë nga përfshirja e rregullt e mjeteve digjitale në mësim. Se ka ndonjë profesionist të tillë janë deklaruar 113 ose 45 për qind e mësuesve, përderisa 137 ose 55 për qind kishin theksuar se në shkollën e tyre nuk ekziston ndonjë ekspert i cili iu ofron mbështetje në procesin e sjelljes së mjeteve digjitale në arsim.

Prej 250 arsimtarëve të anketuar, 130 kanë theksuar se “nuk pajtohen” ose “aspak nuk pajtohen” se kanë kaluar trajnim adekuat për tu pajisur me shkathtësi digjitale. Pak më i vogël është numri, gjegjësisht 120 arsimtarë të anketuar, të cilët kanë theksuar se “pajtohen” ose “aspak nuk pajtohen” se kanë kaluar trajnim adekuat për tu pajisur me shkathtësi digjitale të cilat janë të nevojshme për mësim.

Sipas autorit të hulumtimit, është me rëndësi të theksohet edhe se është e lartë përqindja (75 %) e arsimtarëve të përfshirë në këtë hulumtim vlerësojnë se me sjelljen e teknologjive digjitale në mësim do të lehtësohet mësimi i materialit mësimor nga ana e nxënësve.

Në pyetjen, “A u lejoni nxënësve gjatë orëve të përdorin celular ose mjete të tjera digjitale personale”, shumica e arsimtarëve gjegjësisht 71 % janë përgjigjur se nuk lejojnë shfrytëzimin e pajisjeve personale digjitale gjatë mësimit. Shtatëdhjetë e tre prej 250 arsimtarëve të anketuar ose 29 për qind kanë konfirmuar, gjegjësisht kanë theksuar se lejojnë përdorimin e celularëve dhe mjete të tjera personale digjitale nxënësve gjatë realizimit të procesit arsimor.

Rezultatet e fituara nga hulumtimi përdoren për grumbullim dhe analizë me qëllim përfaqësimin e trendit dhe shkallës së digjitalizimit në arsim. Ato do të publikohen dhe promovohen në drejtim të konstatimit të gjendjes aktuale me digjitalizim në arsimin fillor, si dhe dhënien e propozimeve dhe masave konkrete për të ndërmarrë aktivitete në vijim në këtë plan në territorin e gjithë shtetit.