Humbën jetën nga përmbytjet në Pejë, ​përcillen për në banesën e fundit nënë e bir (Foto)

Nënë e bir që humbën jetën si pasojë e përmbytjeve në Pejë, u përcollën sot për në banesën e fundit.

Marketing

Në ceremoninë mortore ishin të pranishëm familjarë, miq, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë.

Në emër të presidentes Vjosa Osmani, ngushëllime familjarëve u ka shprehur këshilltari ushtarak i saj, gjeneral Sefer Isufi.

“Me dhimbje të madhe kam përgjegjësinë e lartë që në emër të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu të ju lexoj telegramin e ngushëllimit të adresuar nga Presidentja Osmani. Jam thellësisht e tronditur nga lajmi për ndarjen tragjike nga jeta e më të dashurve tuaj, Mirsada Ademaj dhe birit të saj, Dionit. Lajmi për vdekjen e tyre si pasojë e të reshurave të mëdha të shiut dhe vërshimeve e kanë prekur thellë në zemër secilin qytetar të Kosovës”, tha Isufi.

Komuna e Pejës ka pezulluar të gjitha aktivitetet duke e shpallur sot ditë zie, në nderim të viktimave.

Dy anëtarët e familjes Ademaj, nëna dhe fëmija 5 vjeç nuk arritën t’u shpëtojnë përmbytjeve natën e 24 qershorit kur qyteti i Pejës u përball me vërshime si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.