Hungaria heq çmimet më të ulëta të karburantit për makinat e huaja

Qeveria hungareze do të marrë nesër vendim, sipas të cilit vetëm makinat me regjistrime hungareze do të mund të furnizohen me karburant me çmime më të ulëta nga e premtja, njoftoi sot shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez Gergely Gulyas.

Marketing

Sipas portalit hungarez Totalkar, arsyeja e marrjes së këtij vendimi është se gjithnjë e më shumë shoferë nga jashtë po furnizohen me karburant në pompat hungareze të benzinës për shkak të çmimeve të ulëta, veçanërisht në zonat kufitare.

Sipas qeverisë në Budapest, kjo masë do të miratohet për shkak të sigurisë së furnizimit në tregun vendas.

Shtohet se kjo nuk do të thotë se makinave me targa të huaja do të ndalohet furnizimi me karburant, por do të mund të blihet vetëm me çmimet e tregut.

Më 15 nëntor 2021, qeveria hungareze ngriu çmimin e benzinës dhe të naftës së zakonshme në një maksimum prej 480 forintë (1.2 euro) për litër, gjë që nuk vlen për karburantet premium.