Hysaj, drejt kampionatit spanjoll

Karriera e Elseid Hysaj pritet të vazhdojë në La Liga. Mbrojtësi shqiptar ka gjetur akordin për kontratën e re dhe termat financiarë me Valencian. Skuadra e mirënjohur është vënë prej kohësh në kërkim të kuqeziut.

Marketing

Pas emërimit në stol, trajneri Genaro Gatusso e vendosi Hysajn në krye të listës së përforcimeve në mbrojtje. Eksperienca e jashtëzakonshme e këtyre viteve në Serie A, por edhe kualiteti, e shndërruan 28-vjeçarin në një prej prioriteteve të merkatos.

Sipas të përditshmes “La Repubblica”, Hysaj ka gjetur edhe akordin personal me Valencian, për sa i takon kontratës që do të firmosë dhe pagës që do të përfitojë në “Mestalla”. Pengesa e vetme që duhet kaluar është klubi i Lazio-s.

Mbrojtësi është transferuar te kryeqytetasit vetëm një sezon më parë dhe ka ende katër vjet të mbetur në kontratë. Për këtë arsye, bardhekaltërit pretendojnë të fitojnë të paktën 5 milionë euro nga shitja e tij. Valencia nuk është dakord ta paguajë këtë shifër, megjithatë palët po punojnë për gjetjen e marrëveshjes.

Spanjollët synojnë që pagesën për Hysajn ta realizojnë në formën e bonuseve, bazuar në arritjet individuale dhe ekipore. Fakti që futbollisti ka marrëveshje me Valencian pritet të përshpejtojë etapat për arritjen e akordit.