Hyseni: Të shtunën në Uashington për koordinim të dialogut me Serbinë

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, tha se të shtunën do të udhëtojë për në Uashington, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe në Shtëpinë e Bardhë me qëllim të koordinimit rreth procesit të negociatave. SHBA-ja është plotësisht e inkuadruar në këtë proces, tha Hyseni në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Marketing

Të enjten në Bruksel, ai zhvilloi një raund tjetër bisedimesh me Serbinë, në nivel ekspertësh. Hyseni tha se në Bruksel po zhvillohen negociata të vështira për “elementet e marrëveshjes finale”, e cila, sipas tij, ka për synim njohjen e ndërsjellë me Serbinë.

Ai nuk deshi të zbulojë se cilët do të jenë kapitujt e ardhshëm,për të cilët do të bisedohet në Bruksel, por theksoi që kjo do të bëhet e njohur në fund të procesit negociator, kur të arrihet një tekst përfundimtar i marrëveshjes.

Pala serbe megjithatë tashmë ka deklaruar se në Bruksel deri më tani është biseduar për të pagjeturit, të zhvendosurit dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Hyseni shtoi se tashmë është i dukshëm një përkushtim ndryshe nga më parë i BE-së dhe SHBA-së, që kjo çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfundimisht të zgjidhet.

Bisedime krejtësisht politike

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hyseni, tashmë keni zhvilluar një takim të dytë me palën serbe, në rolin e koordinatorit shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë. Cilat janë parime mbi të cilat po zhvillohen takimet e punës?

Skender Hyseni: Parimi është shumë i thjeshtë dhe pragmatik. Po diskutojmë elementë të caktuar, përkatësisht kapituj të një marrëveshjeje gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme – kuptohet, në momentin që nënshkruhet – dhe po ashtu ndërkombëtarisht të obligueshme, që nënkupton që marrëveshja gjithpërfshirëse dhe përfundimtare do t’i nënshtrohet plotësisht të drejtës ndërkombëtare. Kjo marrëveshje për synim të vetëm ka njohjen formale ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si shtete të pavarura dhe sovrane. Një akt i tillë – besojmë ne në Kosovë – do të vendoste një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Balkanin Perëndimor dhe i njëjti besim dhe synim është edhe në Bruksel, por edhe në Uashington. Prandaj, çfarëdo interpretimi tjetër i këtyre negociatave, është i gabuar.

Pra, nuk bëhet fjalë për biseda teknike apo biseda për çështje të veçanta, për çështje të cilat mund të interpretohen edhe si teknike, por përkundrazi. Është një proces bisedimesh krejtësisht politike që synon arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Dhe atë, jo duke u zvarritur, jo duke humbur shumë kohë, sepse ky proces nuk duron zvarritje të pafundme, por do të jetë një proces dinamik, shumë i ngjeshur dhe unë besoj shumë i shpejtë, pavarësisht nga rezultati përfundimtar, që për Kosovën është ekskluzivisht njohja reciproke.

Dhe, them me plot bindje që Republika e Kosovës do të mbajë këtë qëndrim, pra ose do të ketë marrëveshje për njohje reciproke ligjërisht të obligueshme dhe ndërkombëtarisht të garantuar ose nuk do të ketë marrëveshje në asnjë pikë të veçantë, siç po pretendohet të thuhet nga palë të ndryshme.

Negociatat kërkojnë diskrecion diplomatik

Radio Evropa e Lirë: Keni thënë se po punoni në hartimin e marrëveshjes përfundimtare dhe se ajo që po hidhet në letër, kapitujt dhe elementet e shkruara koncize, bazohen në provizione të qarta të së drejtës ndërkombëtare. Çfarë do të përmbajnë këta kapituj dhe këta elementë?

Skender Hyseni: Këta kapituj dhe këta elementë do të jenë thjesht paragrafë ose nene të një marrëveshjeje të përgjithshme që, krejtësisht në fund dhe dispozita e fundit, do të jetë pashmangshëm, për sa i përket Kosovës, njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si shtete të pavarura dhe sovrane. Nuk do të komentoj detaje të veçanta të një tërësie. Pra, është tërësia ajo që ka peshë dhe vetëm atëherë do të flasim dhe do të shihet se cilat janë elementet përbërëse të kësaj marrëveshjeje të përgjithshme, e cila krejt në fund, do të vihet në tavolinë për nënshkrime dhe akoma më në fund, do të vihet në tavolinën e deputetëve të Republikës së Kosovës për ratifikim.

Pra, nuk ka asgjë të panjohur këtu, përveç asaj që derisa jemi në proces të negocimit të elementeve të marrëveshjes së përgjithshme dhe të marrëveshjes së përgjithshme si të tillë, janë çështje që kërkojnë një minimum diskrecioni diplomatik dhe politik. Nuk ka të bëjë kjo assesi me mungesë transparence. Nuk guxon të kuptohet si mungesë transparence. Por, në të njëjtën kohë, unë besoj që do të pajtoheni me mua, që negociatat e kësaj natyre nuk janë një, ta zëmë, lojë futbolli e cila do të luhej ‘live’ para kamerave. Pra, për hir të konstruktivitetit dhe shëndetit të vetë procesit, kërkohet një shkallë diskrecioni diplomatik deri në kohën kur do të arrjmë një tekst përfundimtar të marrëveshjes së përgjithshme.

Po e theksoj sërish, sa i përket Republikës së Kosovës, institucioneve të saj, të gjitha forcave politike në Kosovë, të cilat unë gjatë ditëve të kaluara i kam kontakuar, pra sa na përket neve, kjo nuk ka alternativë, përveç njohjes reciproke Kosovë-Serbi, që është një parakusht themelor për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme midis këtyre dy vendeve, por edhe një paqe të qëndrueshme në të gjithë Ballkanin Perëndimor, sepse, moszgjidhja e kësaj çështjeje midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdjë të ketë reperkusione për paqen dhe stabilitetin në marrëdhëniet e të gjitha natyrave, që nga marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike, politike dhe të tjera, në të gjithë rajonin.

Lajmi i mirë është që gjatë kësaj kohe, ne si Kosovë, kemi vërejtur që ka një përkushtim ndryshe edhe te Bashkimi Evropian, por edhe te Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kjo punë përfundimisht të zgjidhet.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët çështjen e transparencës dhe kërkesën për konfidencë të këtij procesi. A mendoni se kaq konfident janë edhe nga pala serbe?

Skender Hyseni: Nuk preokupohem unë – në këtë rast si koordinator shtetëror – se çfarë vepron dhe si vepron pala serbe. Ne, si Kosovë, do të vazhdojmë të demonstrojmë një shkallë të lartë të seriozitetit në këtë proces karshi ndërmjetësit, që në këtë rast është BE-ja dhe karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që janë plotësisht të kyçura në proces. Prandaj, do të ishte edhe gabim elementar strategjik nëse ne preokupohemi me atë se çfarë do të bëjë Serbia në këtë rast, sepse ne atëherë do të bëhemi peng i një vizioni më të sigurt dhe më të besueshme që gjërat do të lëvizin përpara.

Njohje e ndërsjellë ose asnjë marrëveshje

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hyseni, është thënë që në dialog po bisedohet për kapituj të ndryshëm siç janë të pagjeturit, të zhvendosurit, bashkëpunimi ekonomik. Por fundin e këtij procesi Kosova dhe Serbia e shohin nga kënde krejtësisht të ndryshme. Ju keni thënë që marrëveshja duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe se kjo marrëveshje duhet të jetë për çdo gjë ose për asgjë. Pala serbe e hedh poshtë mundësinë e njohjes së Kosovës, ndërkohë që presidenti Vuçiq kërkon kërkon kompromis. Çfarë kompromise mund të bëjë Kosova?

Skender Hyseni: Do të ishte krejtësisht e panatyrshme nëse do të prisnim pozicionime tjera nga ato që ju i përmendët, sepse po të pajtoheshim nuk do të kishte nevojë për procese të tilla dialogu fare. Pra, ne jemi në vijim të një negociate të vështirë, ua them me bindje, shumë të vështirë dhe unë nuk kam iluzione që do të shkojë krejt lehtë kjo punë, përkundrazi.

Mirëpo, ajo që di dhe që do të mund ta theksoja, ta nënvizoja me qindra herë është që Republika e Kosovës, institucionet e Kosovës, liderët politikë në Kosovë me shumicën prej të cilëve kam biseduar, e kanë vizionin e qartë se cila është rruga që duhet ndjekur dhe cili është synimi përfundimtar që duhet të arrihet dhe do të japim çdo gjë nga vetja jonë që ne të arrijmë atje. Ndërkaq, sa i përket palës serbe, unë çështjen e dialogut e kam shtruar mbase në një rrafsh tjetër dhe po e ndjek logjikën e “më shumë dialog me partnerët ndërkombëtarë, me bashkësinë ndërkombëtare dhe pres më pak nga ballafaqimi i drejtpërdrejtë.

Në të njëjtën kohë, po vazhdoj ta ftoj bashkësinë ndërkombëtare që, përpos uljes në tavolinë tripalëshe, të bisedohet edhe në rrafshin dypalësh, edhe me Serbinë edhe me Kosovën dhe kjo po ndodh. Kështu që pyetja juaj, sa është thelbësore, po aq është edhe evidente si konstelacion. Do të ishte absurde nëse Serbia që sot do të thoshte që do ta njohë Kosovën. Mirëpo, unë kam besim që paevitueshëm ky do të jetë rezultati përfundimtar i këtij procesi ose nuk do të ketë asgjë nga ky proces.

Domethënë mos të ketë iluzione askush se do të arrijnë me Kosovën marrëveshje separate për këtë temë ose një temë tjetër. Tash unë po e them edhe bindjen time personale e kam parë krejtësisht joproduktive gjithë procesin e dialogut të ashtuquajtur teknik nga 2010-ta e këndej sepse mendoj dhe kam bindjen dhe ndihem mirë që i gjithë spektri politik në Kosovë e ndan të njëjtën bindje që nuk mund të ketë marrëveshje për çështje të veçanta, për asnjë çështje të veçantë, pa pasur një marrëveshje për njohje reciproke.

Marrëveshja për njohje reciproke do të krijojë parakushtet thelbësore për të qenë të suksesshëm në marrëveshje të veçanta, në çështje të veçanta dhe çështje të veçanta për bisedimet, për dakordimet, për marrëveshjet do të ketë gjithmonë midis dy shteteve sovrane dhe të pavarura që janë në fqinjësi.

Radio Evropa e Lirë: A mund të na thoni se cilët do të jenë kapitujt e ardhshëm për të cilët do të bisedohet në kuadër të dialogut në Bruksel?

Skender Hyseni: Unë, madje, nuk po i quaj as kapituj, po i quaj, po e nënvizoj, që janë elemente të marrëveshjes dhe unë nuk dua të nxitoj dhe të paragjykoj absolutisht si do të duket marrëveshja përfundimtare përpos pjesës për të cilën po flasim: njohje reciproke, ruajtje e territorit të shtetit, ruajtje me çdo kusht e karakterit unitar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe përtej kësaj Kosova nuk do të ketë asnjëherë telash ose mungesë gatishmërie të trajtojë çdo shqetësim ndërshtetëror që mund të ngrihet midis dy vendeve.

Pra, duhet ta shohim krejt këtë ndërmarrje me një vizion pak më ndryshe, me një vizion, i cili do të krijojë një atmosferë tjetër fare midis dy vendeve që kanë qenë në konflikt, kanë qenë në luftë, kanë qenë në armiqësi. Pra, paramendojeni një marrëveshje gjithpërfshirëse, që unë nganjëherë po e quaj “ombrellë”, kështu figurativisht. Nën atë ombrellë, ne mund të flasim për marrëdhënie ekonomike, raporte tregtare të ndryshme, aranzhime të natyrave të ndryshme për fusha të ndryshme, siç bëhen midis shteteve të pavarura dhe sovrane. Pra, siç i kemi me Shqipërinë, siç i kemi me Maqedoninë Veriut, me Malin e Zi.

Tash, ne duhet ta themi që madje edhe me Shqipërinë, ndonjëherë kemi ndonjë mosmarrëveshje rreth barrierave tregtare, qofshin ato tarifore ose jotarifore. Probleme të kësaj natyre do të ketë gjithnjë. Por, këto probleme nuk janë të zgjidhshme. Nuk zgjidhen dot. Ne mund të bëjmë përpjekje pa u ndalë, por nuk zgjidhen dot po qe se këto dy shtete nuk e njohin njëra- tjetrën.

SHBA-ja, e përfshirë në mënyrë aktive në dialog

Radio Evropa e Lirë: Ju jeni takuar edhe me ushtruesin e detyrës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Philip Reeker.

Skender Hyseni: Po.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë mënyre do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshira në procesin e dialogut dhe cili, sipas jush, do të jetë roli i tyre?

Skender Hyseni: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tashmë të përfshira dhe do të jenë në mënyrë aktive të përfshira, si dhe kjo përfshirje do të bëhet gjithnjë e më evidente.

Sa për një informim paraprak, unë nesër udhëtoj për në Uashington D.C. ku gjatë dy-tre ditëve do të zhvilloj takime të nivelit të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, dhe në Shtëpinë e Bardhë, gjithnjë me një qëllim të vetëm dhe pas dakordimit me Departmanetin Amerikan të Shtetit, që të koordinojmë, të dakordohemi, të ndajmë vlerësimet për procesin dhe të koordinojmë ndërveprimet dhe veprimet e mëtejme rreth dialogut. Po e theksoj – dhe këtë po e bëj me qëllim të qetësimit dhe heqjes së çfarëdo shqetësimi që mund të ketë gjithandej, që mungon komponenta amerikane në këtë dialog – ajo nuk mungon. Është e fuqishme, është aktive dhe është e pazëvendësueshme.

Radio Evropa e Lirë: E shihni më konkret këtë rol?

Skender Hyseni: Absolutisht po.

Radio Evropa e Lirë: Në ç’kuptim?

Skender Hyseni: Për këtë do të flasim në kohën e duhur. Nuk jam nga ata që nxitojnë të flasin para kohës.