Jack Smith, njeriu që hetoi dy çështje kundër Donald Trump, njërën mbi dokumentet sekrete të cilat republikani i mori në Mar-a-Lago pasi përfundoi mandatin dhe një tjetër rreth përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, do të kthehet sipas presidentit të zgjedhur të SHBA-së në gjykatën e Hagës.
Në një intervistë për në NBC, Trump u ndal në mënyrë specifike tek prokurori që u kthye në përndjekin e tij të madh, i cili përpara një viti qe caktuar të mbikëqyrte hetimet penale ndaj tij.
“Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e vendit tonë, dhe unë këto çështje i fitova. Pjesa tjetër janë gjithashtu në rrugën e fitores. I çmenduri Jack Smith është duke u kthyer në Hagë ku mund të ekzekutojë njerëz. Unë… mendoj se ai është i rrezikshëm edhe atje”, mësohet të ketë thënë Trump.
I pyetur nëse do ta dëshironte një hetim ndaj prokurorit, ai u përgjigj se mendon që Smith është shumë i korruptuar, por këtë do t`ia lërë në dorë Pam Bondit, të cilën e ka emëruar për prokurore të përgjithshme.
Smith është prokurori që i akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi po mbahen ende në paraburgimin e Gjykatës Speciale në bazë të aktakuzës së ngritur prej tij. Për akuza të ngjashme, në paraburgim në Hagë po mbahen edhe disa ish-komandantë e ish-ushtarë të UÇK-së.