I dënuari me burgim të përjetshëm në rastin “Monstra” arrestohet në Kosovë

I dënuari me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”, në Maqedoninë  e Veriut, Afrim Ismajloviq është arrestuar dje në Kosovë.

Marketing

Arrestimi i tij ndodhi pas një aksidenti trafiku të ndodhur në Hajvali të Prishtinës.

Ai u ftua për intervistim në stacionin policor.

Ndërkaq pas verifikimit të kaluarës penale, Ismajloviqit i figuroi një urdhër-arrest nga RMV.

Kjo bëri që ai nga prokurori të ndalohet për 48 orë.

Për rastin ka folur edhe avokati i tij Besnik Berisha.

Berisha tha për Klan Kosovën se ky ishte urdhërarrest të vitit 2012/2013.

“Arrestimi i tij ka ndodhur dje në orët e pasdites. Ka qenë i rastësishëm si pasojë e një aksidenti trafiku. Përderisa ai është ftuar në stacionin policor për intervistim, sipas procedurave zyrtarët policorë kanë bërë verifikimin nëse i njëjti është i kërkuar edhe për ndonjë vepër tjetër penale, dhe i është shfaqur një urdhër arrest i vitit 2012/2013 i lëshuar nga Maqedonia e Veriut”.

Ai theksoi theksoi se për të njëjtën vepër penale klienti i tij ishte gjykuar më parë dhe se tani ishte në pritje të përfundimit të procedurave për strehim dhe azil në Kosovë.

“Për këtë urdhër-arrest dikur Ismajloviqi dhe një qytetar tjetër ishin arrestuar në Kosovë, paraburgosur, gjykuar me qëllim të ekstradimit, dhe Gjykata Themelore në Prishtine dhe ajo e Apelit e kishin refuzuar ekstradimin. Që atëherë Afrim Ismajloviqi ka qenë i lirë në Kosovë, natyrisht i është nënshtruar edhe procedurave për strehim, azil. Ka qenë në pritje të konfirmimit. Polici ka qenë i pa informuar për procedurat e ekstradimit dhe e ka njoftuar prokurorin”.

Avokati i të dyshuarit po e konsideron arrestimin të kundërligjshëm.

“Dje e njoftova edhe prokurorin se kemi të bëjmë me një arrestim të kundërligjshëm. Mësova që çështja nga Prokuroria Themelore ka kaluar në atë Speciale. Deri më tani pasi nuk e kanë liruar besoj që do të bëjnë kërkesë për caktimin e masës së paraburgim, e që kjo kërkesë nuk duhet miratuar për shkak që ai është gjykuar për veprën e njëjtë”.

Besnik Berisha, deklaroi se ndaj Afrim Ismajloviq, nesër do të zhvillohet një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Seanca do të fillojë nga ora 09:00.

Gjykata Penale e Shkupit më 23 shkurt të këtij viti ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi.

Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim.

Një person tjetër, Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave.