Me nderime të larta fetare sot në varrezat në Butel të Shkupit iu dha lamtumira e fundit hendbollistit të KH Rinia, Arsim Idrizi si dhe babait të tij, Ibush Idrizi, i cili mbrëmë nuk mundi dot të përballojë dhimbjet nga humbja e djalit më të vogël 35-vjeçar.
Në këtë varrim morrën pjesë personalitete të ndryshme, si nga rafshi politik, gjithashtu edhe ai sportiv. Ishin pikërisht bashkëlojtarët e tij të KH Rinia bashkë me tre vëllezërit që përcollën në banesën e tij të fundit Arsimin.
Ai ishte një djalosh me vyrtyte të larta shembullore, ndërsa prezenca e madhe e miqve të tij, përfshirë këtu edhe shokët e shkollës së mesme ‘Arseni Jovkov’, por edhe të shkollës fillore ‘7 Marsi’, ishin treguesi më i mirë për këtë.
Përveç hoxhallarëve të shumtë fjalim rasti mbajti edhe Rafiz Haliti – Komandant Mësuesi, ndryshe Komandanti i Brigadës 115, pjesë e së cilës gjatë vitit 2001 ishte edhe vetë Arsim Idrizi.
“Në emër të gjithë bashkëluftëtarëve të brigadës 115 dhe gjithë brigadave tjera që luftuan, në emër të gjithë veteranëve të luftës, i shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Arsimit, familjes Idrizi. Arsimi ishte një ndër ata djemë nga Shkupi që nuk e zgjodhën vendin ku do të luftojnë, por gjithkund ku krisi pushka ata iu bashkëngjitën luftës. Arsimi është një ndër ata djem që luftuan, qoftë në Kumanovë, Radushë, Tanushë, Tetovë, e kështu me rradhë. Unë do ti them dy tre fjalë për Arsimin për shkak se e kam edhe obligim. Arsimi kur iu bashkëngjit rradhëve të UÇK-së në Radushë ishte 17-vjeçar. Nuk kisha të drejtë ti jap as pushkë, as uniformën e UÇK-së. Them ishte një ndër ata, pasi kisha edhe shumë djemë të tjerë që u mundova si Arsimin ta kthejë prap, mos të ja jap pushkën, apo uniformën e UÇK-së për shkak moshës. Por Arsimi si gjithë të tjerët mu drejtua me fjalët: ‘Unë tha kam dalë prej familjes dhe kur kam dalë prej shpisë kam marrë hallallëk dhe unë kam ardhur këtu të luftojë, nëse ju nuk më jepni pushkën dhe uniformën unë do të shkoj me një vend tjetër të luftojë, por në shtëpi nuk kthehem’. Kështuqë atë që e tha hoxha më parë, janë dy kategori të njerëzve, një kategori vdesin dhe një kategori ndërrojnë jetë, Arsimi është pjesë e kategorisë së dytë që ndërron jetë, për shkak se pas Arsimit, qoftë në jetën private familjare, por edhe në rafshin kombëtarë flasin veprat e Arsimit. Unë edhe njëherë lus Zotin që Arsimin dhe babain e Arsimit ti dërgojë në xhennet, ndërsa familjes Idrizi u shprehi ngushëllimet më të sinqerta në emër të gjithë bashkëluftëtarëve, veteranëve të luftës. Dëshirojë ta përballoni këtë dhimbje bashkë me këtë xhemat. Jemi të vetëdijshëm se humbja është e madhe, por Zoti na ka kriju në këtë Botë që të sprovohemi” – tha komandanti i Brigadës 115-të, Rafis Haliti, ndryshe i njohur si Komandant Mësuesi.