Jake Davison është autori që u mori jetën pesë personave mbrëmjen e kaluar në Plymouth të Anglisë. Një nga viktimat është edhe nëna e tij.
Mediat britanike raportojnë se 23-vjeçari ka qëlluar fillimisht mbi nënën, duke i marrë jetën. Ngjarja ndodhi në një zonë të qetë banimi, ndërsa mes viktimave ishte edhe një vajzë 3-vjeçare. Më pas autori qëlloi veten.
Sipas hetimit, nëna e tij, Maxine i ishte lutur që të merrte trajtim urgjent të shëndetit mendor në muajt e fundit.
Një mik tha se familja kishte ngritur alarmin për sjelljen e çuditshme të Davison dhe i bëri thirrje policisë dhe autoriteteve shëndetësore për ta ndihmuar atë, një kërkesë që me sa duket mbeti pa përgjigje.
Vrasësi ka postuar video të shumta në kanalin e tij në YouTube, duke shfaqur shqetësim për virgjërinë, peshën dhe “shëmtinë”, ndërsa nënën e quante “të neveritshme” dhe “abuzive”.
Ai ka folur për “humbjen nga jeta” dhe se si e shihte veten si “Terminatori”. Gjithashtu doli se Davison tregoi një magjepsje me kulturën amerikane të armëve dhe kishte shprehur mbështetje për lëvizjen mizogjiniste “Incel”.
Ai dhe Maxine ishin grindur vazhdimisht për pikëpamjet e tij seksiste, raportoi The Telegraph.
Një mik dhe fqinj i ngushtë i tha gazetës: “Maxine dhe Jake dikur kanë qenë shumë të afërt. Gjithmonë e shihnim atë duke e ndihmuar me blerjet në Lidl, por më pas pikëpamjet e tij ndryshuan dhe ai doli kundër grave. Ata u përplasën shumë për këtë”.