Autoritetet franceze vetëm tani e bënë publik bilancin e rëndë të të nxehtit përvëlues që mundoi vendin në muajt qershor dhe korrik, duke e çuar termometrin në nivele rekord.
Gjate një interviste për një radio franceze, ministrja e shëndetësisë, Agnès Buzyn tha se gjysma e atyre që vdiqën për shkak të vapës dhe problemeve shëndetësore të lidhura me të, ishin mbi 75 vjeç. Përgjatë të dy muajve të marrë së bashku, niveli i vdekjeve ishte 9,1 herë më i lartë se normalja.
Franca dhe mjaft vende të tjera evropiane shënuan këtë verë temperatura rekord. Më e larta e regjistruar ndonjëherë,45,9 gradë Celsius u mat në 28 qershor në qytetin Gallargues-le-Montueux, në jug të Francës.
Ekspertët druhen se valë të tilla të nxehta, pasojë sipas tyre e emetimit të gazeve shkaktare të efektit serë, mund të kthehen në zakonshmëri për kontinentin e vjetër, pjesë dërrmuese e të cilit nuk është e përgatitur për një të nxehtë kaq ekstrem.
Më të rrezikuara mbeten moshat e treta, megjithatë ministria franceze e shëndetësisë pohoi se kishte pasur edhe 10 raste vdekjesh në punë; pjesa më e madhe e këtyre viktimave, kane qenë duke punuar në ambiente te jashtme.