Jetmir Hyseni, që është njëri nga 33 të prekurit me Covid-19 në Kosovë dhe po trajtohet në Spitalin Infektiv në QKUK, ka treguar se gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar.
“Fatmirësisht, sot mirë po ndihem. Për çdo ditë po e marr veten nga pak. Jam në Spitalin Infektiv në QKUK, qysh prej natës kur edhe jam diagnostifikuar me koronavirus”.
Hyseni përmes një lidhje telefonike për Klan Kosova ka treguar për simptomat që i ka pasë para se të diagnostifikohet me Covid-19.
“Faktikisht, simptomat i kam ndjerë prej ditës kur kam udhëtuar prej Gjermanisë në Kosovë. E kam ndjerë që mund ta kem virusin, por më saktë e kam kuptuar natën e 20 marsit, pasi që e kam bërë testin në Spitalin Infektiv”.
“Fillimisht në mëngjes kam pasë dhimbje të fytit, derisa në mbrëmje dikur vonë kam pasë ethe, temperaturë, dhimbje të kokës dhe muskujve, por fillimisht kanë qenë dhimbje të fytit”.
“Këto simptoma kanë zgjatur tri ditë. Tani kam vështirësi, por po e shoh se po e marr veten çdo ditë. Tani kam kokë dhimbje kohë pas kohe, por jo diçka më shumë”.
Hyseni që është nga fshati Bibaj i Ferizajt ka treguar edhe se si e kanë pritur familjarët e tij këtë lajm jo të mirë.
“Normal që çdo familjar e pret në mënyrën më të keqe, por e kemi marrë me pozitivitet. Kam qenë i përgatitur moralisht se nëse bëhet diçka – pasi virusi është përhapur në gjithë botën – me qenë i fortë dhe mos të dorëzohem”.
Ai ka thënë se nuk ka informata nëse dikush nga personat me të cilët ka pasë kontakt është infektuar me koronavirus.
“Nuk e di, janë duke e pritur testin. Po pres që të më lajmërojnë. Shpresoj se nuk e kam infektuar askënd”.
“Prej momentit që kam hyp në aeroplan në Dusseldorf kam qenë me dorëza dhe maskë tërë kohën. Edhe më pas në karantinën te Qendra e Studentëve kam pasë shumë kujdes”.
Por, cili është mesazhi i tij për të gjithë qytetarët e Kosovës?
“Të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i ndjekin udhëzimet. Duke e ruajtur veten e ruajnë rrethin që i rrethon. I lus të gjithë të rrinë në shtëpi, të kujdesen për veten dhe për ata që i kanë rreth vetes”.
Hyseni ka thënë se i mungojnë shumë dy vajzat e tij, derisa ka shtuar se me familjarët bisedon vazhdimisht në telefon dhe përmes rrjeteve sociale.