I shpallur në kërkim, Vis Pupa thyen heshtjen, flet për ngjarjen

Aktori i njohur i humorit Elvis Pupa ka reaguar publikisht pas lajmit të shpërndarë nga mediat vendase dhe ato australiane, ku pretendohet se ai është në kërkim nga autoritetet në lidhje me një rast të kultivimit të drogës në një pronë të marrë me qira në Adelaide, Australi.

Marketing

Në një deklaratë të publikuar sot në rrjete sociale, Pupa i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta, keqdashëse dhe të qëllimshme për të njollosur figurën e tij. Ai thekson se ndodhet prej më shumë se një muaji në Tiranë, ku po vijon normalisht angazhimet e tij profesionale në Shqipëri dhe në Evropë.

“Dua ta bëj shumë të qartë: prej më shumë se një muaji ndodhem në Tiranë, ku po zhvilloj angazhime të rregullta profesionale, të planifikuara në Shqipëri dhe më gjerë në Europë. Çdo përpjekje për ta paraqitur këtë situatë ndryshe është një manipulim i pastër i informacionit, një keqinterpretim i qëllimshëm që synon të bëjë lajm aty ku nuk ka asgjë të jashtëzakonshme,” – shkruan ai në reagimin e tij.

ADVERTISING

Aktori i humorit shprehet se është i tronditur nga mënyra se si lajmi është deformuar për efekt klikimesh dhe sensacionalizmi, duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të abuzojë me jetët dhe dinjitetin e njerëzve.

“Fatkeqësisht, kemi parë një keqpërdorim të rëndë të lajmit, me qëllim sensacionalizmi dhe klikimesh, ku deformimi ka marrë vendin e të vërtetës. Jetët tona janë publike, por kjo nuk i jep askujt të drejtën të abuzojë me dinjitetin e njerëzve,” – nënvizon Pupa.

Ai ka sqaruar gjithashtu edhe situatën e bashkëshortes së tij, Belina Pupa, e cila ndodhet e lirë dhe vazhdon aktivitetin profesional, ndërsa thekson se gjithçka që po ndodh është pjesë e një procesi ligjor në zhvillim, ku vetëm drejtësia ka fjalën e fundit.

“Sa i përket bashkëshortes sime, Belina, ajo vazhdon aktivitetin e saj profesional dhe është plotësisht e lirë. E gjithë situata që po trajtohet aktualisht është pjesë e një procesi ligjor që është ende në zhvillim, dhe, siç është shprehur edhe ajo vetë, i takon drejtësisë të flasë e fundit,” – shkruan më tej aktori.

Në fund të reagimit të tij, Pupa falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë periudhë dhe e mbyll deklaratën me mesazhin se do të përballen me çdo situatë me qetësi, transparencë dhe respekt për të vërtetën.

“Jeta vazhdon normalisht, me punën dhe përgjegjësitë tona të përditshme. Ne do të përballemi me çdo situatë me qetësi, transparencë dhe respekt për të vërtetën. Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen që shumë prej jush na kanë treguar,” – përfundon Elvis Pupa.

Kujtojmë që sipas raportimeve të mediave australiane, në pronën në fjalë janë zbuluar 43 bimë kanabisi, si dhe një lidhje e paligjshme me rrjetin elektrik, ndërsa bashkëshortja e Pupës është paraqitur tashmë para gjykatës dhe ndodhet në proces gjyqësor. Avokati i saj ka kërkuar leje udhëtimi për shkak të angazhimeve ndërkombëtare, por prokuroria e ka kundërshtuar me arsyetimin se bashkëshorti i saj është larguar nga vendi dhe është në kërkim.